Bashkimi Evropian do të sigurojë 50 milionë euro ndihmë humanitare shtesë për Gazën, tha të enjten presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen.
Duke folur në një konferencë shtypi në Bruksel, pas ditës së parë të samitit të liderëve të BE-së, von der Leyen tha se 56 tonët e parë të ndihmës nga BE tashmë janë dorëzuar në Gaza përmes dy fluturimeve në Egjipt.
Gjatë takimit të së enjtes, liderët evropianë shprehën shqetësimin për përkeqësimin e situatës në Gaza dhe kërkuan që ndihma të arrijë tek ata në nevojë përmes “korridoreve humanitare dhe pauzave për nevoja humanitare” – duke mos kërkuar një armëpushim.
Von der Leyen dhe Presidenti i Këshillit të BE Charles Michel theksuan të dy angazhimin e bllokut për të adresuar krizën humanitare.
BE është në kontakt “me liderët në rajon për të inkurajuar zgjidhje në frontin humanitar dhe lirimin e pengjeve”, tha Michel.
I pyetur nëse përfaqësuesit e Hamasit do të marrin pjesë në një konferencë të ardhshme që synon zgjidhjen e konfliktit, Michel tha se ai “nuk sheh ndonjë rol” për grupin, duke përmendur përcaktimin e tij si një organizatë terroriste.
Top Channel