Nga Bledar Dervishaj
Një funksionar i zgjedhur, pra një deputeti të Kuvendit të Shqipërisë i caktohen DY masa sigurimi shtrënguese personale njëherazi (sipas nenit 232 pika 1/a/b të K.Pr.Penale dhe konkretisht “ndalimi i daljes jashtë shtetit” dhe detyrimi për tu paraqitur në Policinë Gjyqësore”, dhe kjo, pa marrë autorizim në Kuvend sipas nenit 73 pika 2 ku citohet se:
“2. Deputeti nuk mund të arrestohet ose t’i hiqet liria në çfarëdo lloj forme apo ndaj tij të ushtrohet kontroll personal ose i banesës, pa autorizimin e Kuvendit.
Masat shtrënguese të sigurimit personal, janë të parashikuara në nenin 232 të K.Pr.Penale, që parashikon:
Neni 232
Llojet e masave shtrënguese
- Masat shtrënguese janë:
a) ndalimi i daljes jashtë shtetit;
b) detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore;
c) ndalimi dhe detyrimi për qëndrimin në një vend të caktuar;
ç) garancia pasurore;
d) arresti në shtëpi;
dh) arresti në burg;
e) shtrimi i përkohshëm në një spital psikiatrik.
Sipas kësaj praktike të re të SPAK, i bie që edhe ndaj Kryeministrit, kur ai është deputet, SPAK mundet të caktojë një prej këtyre masave, si më sipër.
Psh: “Ndalimi dhe detyrimi për qëndrimin në një vend të caktuar”.
Nëse ja thotë truri SPAKU-t pra Gjykatës dhe Prokurorisë së Posaçme, bashkarisht dhe në mungesë, mund të vendosin – “ndalimin e Kryeministrit për të qëndruar në godinën e Kryeministrisë” dhe sipas tyre NUK kemi heqje apo kufizim të lirisë.
Sipas SPAK heqje lirie “të çfarëdolloj forme” ndaj deputetit kemi vetëm kur vendoset “arrest në shtëpi” dhe “arrest në burg”.
Hajde llogjikë, hajde!
Po nëse është kështu pse se kemi aplikuar dhe më parë këto masat e tjera si më sipër?
Heto në çdo aspekt, kërko dhe masa sigurimi, patjetër, sipas nevojës dhe gjendjes së procedimit, POR respekto Kushtetutën, Kodin, të drejtat e liritë themelore, dhe realizo një proces të rregullt ligjor. Ndryshe, e humbet besimin për 1 orë!