Home Gjeo-Ekonomia DASH: Sulmi i planifikuar mirë, mos luani me drejtësinë! Kosova: Armët, prodhim...

DASH: Sulmi i planifikuar mirë, mos luani me drejtësinë! Kosova: Armët, prodhim serb

Departamenti amerikan i Shtetit deklaroi se sulmi në Banjskë të Zveçanit ishte i koordinuar dhe i planifikuar mirë. 

I pyetur në lidhje me arrestimin e Milan Radojçiçit, zëdhënësi i DASH, Vedant Patel u shpreh se i kanë raportet.

“Dhe siç e kemi thënë, ne e dimë se sulmi ishte i koordinuar dhe i planifikuar mirë, dhe të gjithë ata që ishin të përfshirë në planifikimin dhe kryerjen e këtij sulmi duhet të sillen para drejtësisë”, u shpreh ai.

Radojçiç u ndalua një ditë më parë në Beograd, por presidenti serb, Aleksandër Vuçiç nuk ka dhënë asnjë shenjë se do të bashkëpunojë për verifikimin e të gjitha fakteve lidhur me ngjarjen e 24 shtatorit. Për agresorët që arritën të largohen dhe që Vuçiç tha se do të japin llogari në Serbi, u ofrua strehim dhe për tre prej tyre që u vranë, u shpall ditë zie kombëtare.

Policia boshnjake njoftoi se do të hetojë pretendimet se Radojçiçi ka blerë në Bosnjë armë, municione dhe mjete shpërthyese të fuqishme dhe shkatërruese, të cilat kanë përfunduar më pas në territorin e Kosovës.

Paraprakisht megjithatë, ministri i Brendshëm atje, Ramo Isak, u shpreh se nuk ka informacion për ndonjë armë në zonën e Tuzllës, që të lidhet me rastin e Radoiçicit. Nga Policia e Kosovës dhe nga Ministria e Brendshme pohohet se armët e kapura në Banjëskë dhe zonën përreth, janë të prodhuara në Serbi, çka lë të kuptohet se grupi është furnizuar nga institucionet serbe. Drejtori i Policisë, Gazmend Hoxha tha se në mesin e armëve të sekuestruara ka edhe predha të prodhuara në 2023-shin në Serbi, të cilat sipas tij nuk mund të blihen ne tregun e zi, por mund të gjenden vetëm në fabrikën që i ka prodhuar ose në depot e ushtrisë apo policisë.

Top Channel

Share: