Home KRYESORE Duke dëgjuar disa deputetë për Rezolutën në mbështetje të Kosovës

Duke dëgjuar disa deputetë për Rezolutën në mbështetje të Kosovës

Nga Artan Fuga

Sigurisht shumë mirë të ketë një rezolutë në mbështetje të Kosovës. Sado me vonesë.

Por, kur dëgjon disa deputetë si diskutojnë, thua me vete : Cfarë po thonë?

Dëgjoj robin e Zotit që e mbështet patriotizmin e vet te një nen i Kushtetutës së Shqipërisë që thotë pak a shumë se shteti shqiptar mbron të drejta edhe të shqiptarëve jashtë kufirit.

O t’u derbardhë, po ai është një nen i Kushtetutës i bërë përpara shpalljes së pavarur të shtetit të Kosovës. Nuk është për shqiptarët e Kosovës ai nen o njeri! Se nga do t’i mbrosh shqiptarët e Kosovës nga shteti i tyre i Kosovës?

Ai nen i Kushtetutës duhet riformuluar, se ju e përdorni jashtë çdo konteksti. Kushtetuta duhet të njohë dy shtetet shqiptare në Ballkan! Të drejtat e shqiptarëve të Kosovës i mbron shteti i Kosovës. Shqipëria mbështet shtetin e Kosovës. Nuk fut hundët atje!

Po ç’thua o njeri kur nga podiumi ngre zërin për të deklaruar se Shqipëria mbron shtetin e Kosovës, Kosovën, deri sa ajo të njihet si anëtare e OKB, etj!!!

Deri atëhere doni të jetë nën tutelën tuaj? Shqipëria gjithë kohën do të jetë në mbështetje të pavarësisë së Kosovës, sikurse Kosova të Shqipërisë. Njësoj. Por, Kosova është shtet me të drejta të plota sovraniteti qysh tani.

Kur thua deri sa të njihet nga OKB, ja heq bazën legjitime Kosovës, ja heq stolin. E kupton apo jo?

Sigurisht që jo!!!

Po u sulmua Kosova Shqipëria hyn në luftë!!! Ngadalë se trembe dynjanë. Se ja luftë ka bërë Shqipëria për Kosovën, nuk e sheh! Në ’45 poooo, luftoi shumë ta merrte Kosovën. Edhe në 98 u bashkua me Kosovën posiiii. Edhe kur kosovarët vuanin nën Millosheviçin, Shqipëria u sul me zjarr e me hekur kundër tiranit serb! Posiiiiii! Lëre kur përzuri një milion kosovarë, Shqipëria hyri me tanke deri në Beograd.

Po ç’a thua o trim mbi trimat. Po, thuaj Shqipëria lufton në kuadrin e Nato-s, që të besohesh së paku se ndryshe nuk plas dot luftën e tretë botërore Shqipëria!

Dhe kur flsnin për Kosovën, për shqiptarët. Patjetër janë shqiptarët tanë shumica thuajse e plotë, por ka edhe turq, romë, serbë, etj., atje që janë qytetarë kosovarë. Gjithë aty është ideja për të cilët po përpiqet shteti kosovar, të integrojë dhe jo-shqiptarët.

Barazimi i qytetarisë me kombësinë është nacionalizëm që i prish punë Kosovës.

Nacionalizëm kundër nacionalizmit me këto shprehje pa përmbajtje.

Po ku pyet ndonjë deputet i zënë në peshën e vrullit patriotik, ha gjylen e topit, me falni, ha mikrofonin me dhëmbë dhe forcimin e shtetit të Kosovës e sheh thjesht si çështje ekskluzive mes shqiptarësh.

Kujdes me ata që përgatisin fjalimet se ja fusin kot!

Share: