Kina shquhet për arritjet në teknologji dhe përjashtim nuk bëjnë as zhvilluesit, të cilët janë vlerësuar nga “Google”, në një event të zhvilluar në Shangai. Sipas drejtuesve të lartë të kompanisë, Kina përbën 20 për qind të popullsisë globale të zhvilluesve, me numrin gjithnjë në rritje. Ata thonë se zhvilluesit kinezë kanë treguar performancë të jashtëzakonshme në skenën globale.
Ekzekutivët e “Google” vlerësojnë zhvilluesit kinezë
Zhvilluesit kinezë luajnë një rol jetik në ekosistemin e zhvilluesve të “Google”, pasi ata kanë marrë drejtimin në ndërtimin e aplikacioneve me një ritëm të shpejtë, adoptojnë në mënyrë aktive teknologjitë e reja, krijojnë aspirata për zhvilluesit globalë dhe kontribuojnë në një pjesë shumë të madhe të të ardhurave të saj, thanë drejtuesit e lartë të “Google”.
Kompania po fokusohet më shumë në nevojat e zhvilluesve kinezë dhe po bën përmirësime teknologjike për t’i ndihmuar ata të zgjerojnë më tej shtrirjen e tyre globale, deklaruan drejtuesit e kompanisë në “Google I/O Connect China”, event i zhvilluar javën e kaluar në Shangai, ndalesa e fundit e një sërë ngjarjesh globale këtë vit.
“Ne besojmë se Kina është një treg i mrekullueshëm me zhvillues që po kontribuojnë në të ardhmen e teknologjisë, duke ndërtuar aplikacione dhe produkte inovative nga të cilat mendoj se pjesa tjetër e botës po mëson dhe po frymëzohet prej tyre”,- deklaroi Jeanine Banks, zëvendëspresidente dhe menaxhere e përgjithshme e “Developer X”, si dhe drejtoreshë e marrëdhënieve me zhvilluesit në “Google”.
“Kjo është hera ime e parë që kam shansin të flas me kaq shumë përfaqësues të startup-eve dhe zhvillues, për të dëgjuar drejtpërdrejt për punën që ata po bëjnë, problemet që po zgjidhin dhe duke u kujdesur për nevojat dhe interesat unike të tregut kinez, por gjithashtu duke u bërë globale dhe duke arritur përdoruesit në të gjithë botën”, tha Banks, e cila merrte pjesë për herë të parë në këtë event në Kinë.
Sipas “Google”, Kina përbën 20 për qind të popullsisë globale të zhvilluesve, me numrin gjithnjë në rritje.
CFP
“Zhvilluesit kinezë kanë treguar performancë të jashtëzakonshme në skenën globale. Deri më sot, gjithsej 48 aplikacione kineze kanë fituar çmimet vjetore “Best Of” të “Google Play” në 23 rajone në mbarë botën”, tha Stanley Chen, zv.president i “Google Greater China”.
“Zhvilluesit kinezë krijojnë frymëzim për zhvilluesit në mbarë botën. Për shembull, tendencat si super aplikacionet, transmetimi i drejtpërdrejtë dhe aplikacionet tregtare filluan në Kinë, të ndjekur nga të tjerë jashtë vendit që përpiqen të zbatojnë qasje të ngjashme platformash”,- tha Banks.
Duke iu referuar rritjes së zhvilluesve kinezë, Purnima Kochikar, zv.presidente e “Play Partnerships” në “Google Play”, mendon se zhvilluesit kinezë kanë disa përparësi. “E para, është tregu i gjerë kinez, i cili ndihmon në ndërtimin e aplikacioneve. E dyta, është mendësia e tyre e eksportit. Meqenëse Kina ka qenë gjithmonë një treg eksporti në botë, zhvilluesit kinezë kanë një mentalitet automatik për t’i çuar gjërat në botë. Dhe e treta, janë burimet e talenteve të vendit”,- tha ajo.
CFP
Sipas saj, ka rreth 110 milionë zhvillues që janë teknikisht të aftë. Kur talentet mblidhen së bashku, ata mund të formojnë ekipe të mëdha dhe të bëjnë gjëra të mëdha, si dhe të mësojnë nga njëri-tjetri në një komunitet të fortë zhvilluesish. Banks theksoi se “Google” i kushton rëndësi të madhe komenteve dhe nevojave të zhvilluesve kinezë.
Gjatë vizitës së saj në Shangai, Banks u takua me shumë zhvillues dhe përfaqësues të startup-eve, për të dëgjuar zërat e tyre, duke treguar se si “Google” mund t’i ndihmojë ata të zgjerojnë shtrirjen e tyre globale.
Popullsia globale e zhvilluesve është zgjeruar dhe Kina renditej e dyta në botë në vitin 2021 për numrin më të madh të tyre, sipas raportit të “Octoverse” të publikuar nga “Git Hub”, uebsajti më i madh në botë i programimit dhe mbajtjes së kodeve me burim të hapur./Artikulli dhe fotot janë ofruar nga CRI.CN