Home KRYESORE Eutanazia dhe ‘Grunari i leximeve’

Eutanazia dhe ‘Grunari i leximeve’

Nga Çapajev Gjokutaj

Më mbeti në mendje një ese që tregonte sesi dy vëllezër, që të dy mjekë nuk binin në një mendje: duhej t’ja hiqnin tubat e ushqimit babait në shtratin e vdekjes, apo duhej të linin organizmin e plakur të gjallonte derisa të mundej?

Djali që ishte për ndërprerjen e jetës kishte një argument tē thjeshtë por tejet sentimental. VIte të shkuara, përpara se të merrej vesh që babai (edhe ky mjek) vuante nga alzhemieri, i kishte shkruar një letër dhe i thoshte që, gjatë pleqërisë nuk do dëshironte ta linin të jetonte në gjendje të pavetdijshme a të çmendur.

Djali që kundërshtonte heqjen e tubave kishte një argument të diskutueshëm, por gjithsesi puro human: babai gjatë periudhës së sëmundjes, edhe në kohën që kishte kaluar tërësisht në humbje kujtese e logjike, shpesh kishte shenja se e shijonte jetën, psh kur shihte televizor, lëpinte një akullore, komunikonte me infermieren a vizitorët etj. A duhej që bijtë të respektonin një vendim që de facto plaku e kishte anulluar?

Nisur nga këto, djali i dytë, që ishte edhe autori i esesë, shtronte dilemën: në rastin e këtyre lloj sëmundjeve a kemi të bëjmë me të njëjtin njeri?, a ka të drejtë ai i mëparshmi, me mend në kokë të marrë vendim për jetën e këtij të dytit që, me gjasë, trashëgon vetëm trupin e të parit dhe thuajse asgjë tjetër? Një mjeku gjenetist, siç ishte babai kur qe i vetdijshëm, jeta pa kujtesë e arsyetim, doemos që do i dukej pa kuptim, po ka të ngjarë që ky tjetri, i telikosur nga alzhemieri, të mos ishte në një mendje. Pse duhej dëgjuar i pari dhe injoruar i dyti?

Dilemat që shtronte eseja bëheshin më të forta ngaqë plaku nuk i binte në qafë kujt, jetonte/vegjetonte jetën e vet në një institucion shëndetsor të paguar me pensionin që shoqëria duhej t’ja jepte deri në frymën e fundit, jo si lëmoshë por si shpërblim a, më saktë, si shlyerje borxhi për shërbimet që kishte bërë gjatë jetës aktive.

Kam vënë re se gjërat që të mbeten në mendje dhe, herë pas here ti u kthehesh automatikisht e padashje, janë sidomos gjërat që s’kanë zgjidhje të prera, ndaj të bëjnë të lëkundesh herë andej e herë këndej në dilema shekspiriane të tipit ‘të jesh a të mos jesh?’. Dhe ti jep e merr të zgjidhësh një dilemë që është e pazgjidhshme, përsa kohë nuk e di saktë se ç’do të thotë të jesh🧐🤪

( Nga cikli ‘Grunari i leximeve’ )

Share: