Situata është larg qetësimit në Kosovë, e dëshmuar qartazi kjo dhe nga deklaratat e ministres së jashtme Donika Gërvalla, e cila ka paralajmëruar luftë, në rast se, komuniteti ndërkombëtar vazhdon të mbajë të njëjtin qëndrim të pandryshuar ndaj Serbisë.
Kryediplomatja kosovare tha për media gjermane Deutschlandfunk se Beogradi po kërkon ta detyrojë Kosovën të negociojë për çështje territoriale në dialog.
“Nëse komuniteti ndërkombëtar i toleron veprimet e Serbisë, do të ketë luftë”, u shpreh ajo. Serbia dëshiron të krijojë fakte për ta detyruar Kosovën të negociojë çështjet territoriale në Bruksel, vazhdon më tej. Gërvalla kërkoi që BE-ja ta ngrijë statusin e Serbisë si vend kandidat.
Deklaratat e Gërvallës vijnë një javë pas sulmit të armatosur në veri, ku humbi jetën një polic i Kosovës dhe më pas, në shkëmbim zjarrin me forcat e armatosur mbeten të vrarë tre prej sulmuesve. Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani pohoi së fundi se Serbia vazhdon të ketë pretendime territoriale ndaj Kosovës. Qeveria në Beograd po përpiqet të zbatojë një “model të Krimesë”, tha ajo, duke aluduar në aneksimin e vitit 2014 nga Rusia në Ukrainë.
Ndërkohë, drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, ka thënë të hënën se autoritetet në Serbi nuk janë duke kërkuar nga misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR dhe misioni i Bashkimit Europian për sundim të ligjit, EULEX, “që të qëndrojnë në anën serbe”. “Ne vetëm kërkojmë që ata të jenë objektivë, të jenë neutralë”, u shpreh ai.
Top Channel