Home KRYESORE GJKKO-Berisha, vazhdon “loja”/ Gjykata zëvendëson Simonin me tjetër avokat falas! Shtyhet për...

GJKKO-Berisha, vazhdon “loja”/ Gjykata zëvendëson Simonin me tjetër avokat falas! Shtyhet për nesër seanca

Vazhdon prej dy ditësh “loja procedurale” e seancës në GJKKO për marrjen në pyetje dhe verifikimin e masës së ish-kryeministrit Sali Berisha.

Vetëm pak orë pasi avokati kryesisht falas Artan Simoni u caktua nga GJKKO si përfaqësues i Berishës, vjen lëvizja e fundit.

Me kërkesë të Prokurorisë Gjykata ka zëvendësuar Simonin me një tjetër avokat nga lista e avokatëve kryesisht falas dhe i la kohë që të njihet me aktet. Në këto kushte seanca do të shtyhet për nesër në orën 10:00.

Më herët pala mbrojtëse e Berishës si dhe vetë djali i tij Shkëlzen Berisha, akuzuan se avokati Simoni ishte zgjedhur nga vetë kryeministri Rama, pas postimit të avokatit në rrjetet sociale që e cilësonte Berishën si: “Bisha është plakur, bisha është lodhur, bisha s’mundet më. Shumë prej atyre që dikur bisha mbante mbi kurriz, pas kurrizit kanë filluar t’a çukasin. Ku gaboi bisha?!”.

Çfarë ndodhi sot me gjyqin ndaj Sali Berishës në GJKKO

Pak minuta para fillimit të seancës së sotme, e paracaktuar të niste në orën 14:30, në hollin e gjykatës është parë duke pritur një nga avokatët e shtetit, Artan Simoni. Avokati Simoni ishte aty në rast se avokatët e mbrojtjes së ish-kryeministrit nuk do të paraqiteshin në seancë, GJKKO do të vlerësonte sërish mundësinë për të mbajtur një proces gjyqësor me dyer të mbyllura me një avokat falas.

Ashtu sikurse dje, edhe sot ish-kryeministri Berisha në konferencën për shtyp, deklaroi se nuk do të ishte prezent, por do të përfaqësohej nga dy avokatët mbrojtës Genc Gjokutaj dhe Sokol Mëngjesi. Këtë e konfirmuan edhe vetë avokatët e çështjes për Top Channel.

Para orës 14:30, gjykata konfirmoi për Anila Hoxhën se kishte përsëritur njoftimin për Berishën, por pa e bërë të mundur njoftimin. Në orën 14:30, kur ishte lajmëruar edhe seanca në GJKKO, janë paraqitur dy avokatët e mbrojtjes Genc Gjokutaj dhe Sokol Mëngjesi.

Në orën 14:30, në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, u çel seanca gjyqësore për vijimin e shqyrtimit të kërkesës së paraqitur nga Prokuroria e Posaçme, me objekt marrjen në pyetje të shtetasit nën hetim Sali Berisha.

Në orën 14:55, avokati kryesisht falas nga shteti Artan Simoni, largohet nga mjediset e GJKKO-së.

Në orën 16:00, dy avokatët e mbrojtjes Genc Gjokutaj dhe Sokol Mëngjesi largohen nga seanca.

Nga ana e tyre, u bë me dije se kanë paraqitur kërkesë për përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka nga gjykimi i çështjes dhe në këto kushte u larguan nga salla e gjykimit, duke deklaruar se nuk mund të realizojnë një mbrojtje efektive.

Në orën 16:11, me largimin e dy avokatëve të mbrojtjes, Gjokutaj dhe Mëngjesi, sipas burimeve të gazetares së TCH, Anila Hoxha, GJKKO thërret sërish avokatin kryesisht falas të shtetit Artan Simoni, i cili ishte larguar.

Deri në ardhjen e avokatit Simoni, gjykata ndërpreu për disa minuta shqyrtimin gjyqësor në pritje të mbërritjes së avokatit Artan Simoni, për vijimin e seancës gjyqësore.

Ora 16:36, vjen avokati Simoni dhe prokurorët e SPAK, hyjnë në sallë.

Ora 16:42, seanca shtyhet edhe për dy orë të tjera koha që kërkoi avokati Artan Simoni, për tu njohur paraprakisht me aktet.

Ora 19:28, shtyhet seanca, Gjykata zëvendëson Simonin me një tjetër avokat nga lista e avokatëve kryesisht falas dhe i la kohë që të njihet me aktet.

Top Channel

Share: