Home Gjeo-Ekonomia GUINNESS i afërt për Shqipërinë e pas disa vjetëve : Vendi i...

GUINNESS i afërt për Shqipërinë e pas disa vjetëve : Vendi i vetëm në botë me zero mjekë…

Nga Dr. Nini Dede

Në vendin tonë histeria kolektive e pranimit të imoralitetit si moral,e korupsionit si zotësi,e çetnizimit si globalizëm,e diktaturës si demokraci, nuk mund të linte pa prekur edhe atë sferë të jetës që lidhet drejtpërdrejt me ekzistencën e vetë saj: shëndetësinë dhe më konkretisht mjekësinë e profesionistët e pak-mbetur të bluzave të bardha.

Para pak vitesh u perpilua dhe miratua “ligji i famshëm” për neglizhencën mjekësore, që në mënyrë djallëzore jo vetëm që rriti hendekun e konfliktit mjek-pacient dhe ngriti bazat e një “pazari” për “gjahun” e ri të një sistemi të vjetër drejtesie, por edhe hodhi bazat e një burgosjeje e perdhosjeje juridike pervec asaj profesionale që i është bërë ndër vite profesionit më të bukur dhe më të lashtë të njerëzimit, atij të mjekut.

Sa shpejt u harrua heroizmi i pandemisë, buqetat me lule e fjalët e mira për mjekët e infermierët, elozhet e panumërta zyrtare e populiste, e sikur të mos mjaftonte akoma heshtja e mospërdorimi më i tyre, në mënyrë të vetëtimshme u zëvëndësuan me helmin e “mjekut vrasës”, “mjekut kriminel”, “mjekut neglizhent” apo një dreq e di se çfarë epiteti poshtërues do t’i piedestalojnë deri në fund.

Paradoksi i këtij shteti synim-nxitës histerie diktaturëdashëse, i kalon caqet e së imagjinueshmes kur në rutinën e perditshme, varsësi,krimineli apo hajduti fillimisht largohet në mes të ditës në drejtim të paditur per t’u kthyer më vone me petkun e policit, pseudobiznesmenit apo pushtetarit kurse mjeku, (arrestimi i të cilit në mes të natës në “vendin e krimit” ,aty ku nuk e gjen dot as interpoli, serviret si histori suksesi e policisë, prokurorisë dhe vetë qeverisë) kthehet nën petkun e urryer të “hajdutit mit-marrës 200 lekësh”, të “kriminelit jetë-marrës të fëmijëve apo të rriturve të sëmurë” (edhe pse shpeshherë ka dhënë shpirtin e madje disa herë ka aplikuar vetvrasjen si përgjigje të pamerituar ngushëlluese ndërgjegje të pastër ndaj disfatave të padëshiruara profesionale me humbje jete pacienti).

Paradoksi i këtij shteti mbështetet nga naiviteti viktimizues i një populli që shet votën për kafshatën e gojës, qe fle në gjumin e dëborës kur duhet të ulërasë qysh në agoni të padrejtësisë, që dhunën fizike të njerëzve me mbështetje pushteti ndaj famijarëve të tij ka frike ta denoncojë duke nxjerrë nga goja togfjaleshin e zakonshëm “le ta gjeje nga Zoti”, kurse ndaj mjekut që i trajton plaget e asaj dhune pushteti tregon trimëri duke e kërcënuar me jetë mjekun nëse pacienti nuk shpëton nga mjekimi i tij, e aq më tepër vdekja e pacientit i ngjyros atij epitetin e kriminelit dhe i vulos damkën e mjekimit të gabuar, vlerësuar “profesionalisht” nga familjarët, gazetarët, juristët, politikanët (te gjithe jomjeke) “mbështetës” të pacientit të ndjerë.

Mozaikut “të bukur” paradoksal i shtohet edhe tharja embrionale mjekësore e burgosjes 5 vjecare profesionale,mendore,shpirtërore mbi studentët e mjekësisë, e cila nga ana e saj con në mënyrë të pashmangshme në braktisjen e detyruar dhe të dëshpëruar të zgjedhjes së këtij profesioni.

Me gjithë grevat e protestat sporadike të mjekëve, studentëve të mjekësisë etj, ne edhe sot si gjithmonë të pafuqishëm, rrimë duarkryq e shohim ( herë me emocion për shkak të profesionit, e herë pa emocion për shkak të ndjesisë që të jep një film i stërparë), dokumentarin artistik të Shtetit “Kinostudio Shqipëria e Re 2023” me titull: “Mjekët në Shqipëri – kjo specie e rrallë në zhdukje”.

Nini Dede ,
6 Tetor 2023

Share: