Kosova dhe Serbia kanë këmbyer akuza gjatë mbledhjes së Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ku u diskutua për raportin për Kosovën të sekretarit të Përgjithshëm, Antonio Guterres. Teksa Serbia mohoi çdo përfshirje në sulmin ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë dhe tha se ngjarjet ishin rezultat logjik i “terrorit” ndaj serbëve, Kosova tha se më 24 shtator ishte “agresion nga Serbia”.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë paraqitjes para Këshillit të Sigurimit të OKB-së, tha se Serbia dëshiron territor të Kosovës “por, nuk do ta marrë kurrë”.
“Ne duam paqe dhe Serbia e dëshmoi më 24 shtator se do luftë. Por, ne nuk do ta lejojmë të ndodhë kjo”, tha Osmani. Sipas Osmanit, më 24 shtator plani ishte “destabilizimi i rajonit” të Ballkanit Perëndimor dhe jo vetëm i Kosovës. Osmani tha se burimi kryesor i financimit, armatosjes dhe trajnimit të grupit të armatosur në Banjskë “është Republika e Serbisë”.
Nga ana tjetër, akuza dhe deklarata të forta lëshoi edhe Brnabiç. Ajo u tha të pranishmve se Osmani as që arriti t’u tregojë anëtarëve të Këshillit të Sigurimit të OKB-së fjalën “Serbia”, ndaj foli vetëm për “kishën ortodokse”.
Po ashtu, Brnabiç vuri në dukje faktin se Kosova nuk është anëtare e OKB-së.
“Ne ulemi në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Kjo është shtëpia e Kombeve të Bashkuara. Ju nuk jeni anëtare e OKB-së”- përfundoi Brnabiç.
360grade.al