Prokuroria ka nisur hetimet për kanosje për shkak të detyrës të gjyqtareve Valdete Hoxha, Lutfie Çelami dhe Edlira Petri, të cilat denoncuan sulmin dhe kërcënimet për jetën.
Siç mëson ekskluzivisht Top Channel, gjyqtaret kanë kërkuar ndihmën e policisë së kryeqytetit menjëherë pasi shpallën nga 35 vjet burg për shtetasit Daut Elmazi dhe Gentian Zoto, dënimin me 30 vjet burg për Igli Memaj dhe nga 25 vjet për Serxho Ademin dhe Albano Goxhaj.
Të treja gjyqtaret u kërcënuan në sallën e Gjykatës së Apelit nga të afërmit e të akuzuarve, ditën kur u dënuan për akuzën e vrasjes në rrethana cilësuese të ngelur në tentativë.
Të pestë vlonjatët të cilët mungonin ditën e verdiktit akuzohen se në maj 2019 qëlluan me armë zjarri përmes një automjeti në lëvizje e sipër duke pasur si shënjestër Ines Hajrullën, një kundërshtar I tyre në fushën e krimit. Por të akuzuarit këmbëngulin se vendngjarja është manipuluar nga policia lokale e asaj kohe dhe se gjykatat nuk i konsideruan drejt provat e tyre.
Asnjëra nga gjyqtaret nuk ka kërkuar mbrojtje pranë KLGJ, ndërkohë qe policia i ka shtuar masat për të treja zonjat e drejtësisë.
Sakaq trupa gjyqësore e Gjykatës së Lartë reagoi për të gjitha kërcënimet e gjyqtarëve dhe magjistratëve, përfshi edhe kërcënimin e dy prokuroreve Doloreza Musabelliu të SPAK dhe Merita Sinani, të përmendura nga grupi kriminal i Lushnjës sepse hetuan dy anëtarët Orges Bilbili dhe Anterio Kaloshi.
“Me besimin se kolegët magjistratë do të vijojnë të kryejnë me vendosmëri dhe përgjegjshmëri detyrën , mbështesim organet ligjzbatuese në marrjen e menjëhershme të masave dhe vënien para përgjegjësisë të fajtorëve”, deklaron Gjykata e Lartë.
Top Channel