“Projekti përmban logjikën e rrezikshme të përleshjes së qytetërimeve dhe justifikimin e luftës e të përdorimit të forcës,” theksoi përfaqësuesi i përhershëm i Kinës në Kombet e Bashkuara Zhang Jun në një shpjegim të votimit. “Pozicioni ynë është i bazuar në fakte, në ligj, në ndërgjegje, në drejtësi dhe në thirrjet e forta të gjithë botës, sidomos të vendeve arabe.”
“Kina nuk është absolutisht kundër ndërmarrjes së veprimeve nga Këshilli. Përkundrazi, ne gjithmonë kemi bërë thirrje fuqimisht që Këshilli të luajë një rol të përgjegjshëm. Ajo që kundërshtojmë, është se projektrezoluta nuk është e qartë në çështjen më urgjente të përfundimit të armiqësisë. Ajo nuk kërkon qartë dhe shprehimisht një armëpushim të menjëhershëm,” tha Zhang.
“Në qoftë se një rezolutë e Këshillit është e paqartë mbi çështjen e luftës e të paqes dhe të jetës e të vdekjes, ajo nuk është vetëm e papërgjegjshme, por edhe jashtëzakonisht e rrezikshme, është baras me hapjen e rrugës për veprime ushtarake në shkallë të gjerë dhe dhënien e dritës së gjelbër për përshkallëzimin e mëtejshëm të luftës,” vuri në dukje ai
I dërguari theksoi se Kina nuk është absolutisht indiferente ndaj veprimeve që dëmtojnë civilët ose ndaj vuajtjeve të popullit të Gazës, dhe as nuk mohon shqetësimet e Izraelit për sigurinë.
Ambasadori vuri në dukje që Kina nuk ka interesa egoiste në çështjen e Palestinës. “Çdo nismë që kontribuon për paqen do të ketë mbështejtjen e vendosur të Kinës. Çdo përpjekje që lehtëson pajtimin mes Palestinës dhe Izraelit do të ndiqet nga Kina me të gjitha forcat,” theksoi ai./CRI.CN