Nga Kimete Berisha
- ‘Plisat’ e bllokuan bllokun e Tiranës.
Si ‘pushtuesit e dashurisë’, për një dakik ua morën anën shqiptarëve të Shqipërisë.
Kishin ardhur për t’u gëzuar që janë shqiptarë dhe për t’i mësuar shqiptarët se si duhet Shqipëria.
- Gëzimi i tyre ishte imponues, t’i s’kishe çare pa u gëzuar se rrezikoje të dukeshe ‘serbe’.
Tymi i gëzimit e skuqte qiellin e buzëmbrëmjes.
Gëzimi ishte mashkullor, krejt meshkuj që silleshin sikur e kishin marrë lajmin se dikush ua ka sharë nanën dhe shpejt e shpejt kishin ardhur qysh kanë qëlluar, për t’ia shqyer armikun gojën vesh më vesh…
dhe….Kumbonte kënga për Adem Jasharin.
Heroi tash i frymëzon shqiptarët të bëhen futbollistë.
A thua, ekziston dikush që do ta jepte jetën për Leposaviqin!
Për Zubinpotokun, vallë, pse asnjë poet kurrë nuk e shkroi një poezi.
- Erion Veliaj i kish marrë lakmi Përparim Ramës, e kish bërë qytetin shpuzore.
Rrugëve të Tiranës kundërmonin plehërat.
Në kontenjerët e hapur avullonte oxhak ere e rëndë.
Luks i ndërtuar mbi gypat e ujit, kryeqyteti pa ujë të pijes. Kur s’vjen era nevojtore, kalimtarëve u vjen era livandë e djegur me shkrepsë druri.
- Gjithmonë më vjen inat kur i shoh shqiptarët e Kosovës që e duan Shqipërinë më shumë se që e duan ata veten.
S’ka më zor se sa ta duash një shqiptar.
- Është njësoj si të dashurohesh në një gur.
Por gëzimi shpërndahej…nëse s’dukeshe i lumtur – mund të dukeshe ose i çmendur ose tradhtar.
- U gjenda në një klub ku ishin jashtëzakonisht të lumtur që ishin shqiptarë.
Derisa këndonin xhamadanin, kërcenin përpjetë…
Sa më përket mua, unë nuk ndjeja dashuri, hiç, asnjë trohë, as për ilaç.
Nuk dëgjohej asgjë tjetër, përveç thirrja ‘është Kosova – është Shqipëria’.
Unë e dija se as s’është Kosova, as Shqipëria, por, më duhej të bëja sikur nuk e dija.
Unë e dija shumë mirë se në mes nesh as s’ka dashuri, as s’ka gjë të gjallë, por s’kisha si të mos i pranoja urimet e fitores: Urime golat, Kimete.
- Derisa të gjithë po bërtisnin nga gëzimi, unë po mendoja o Zot sa inat ua kam shqiptarëve, dua të them, gjakftohtësisë së shqiptarëve të Shqipërisë dhe gjaknxehtësisë së shqiptarëve të Kosovës.
Pastaj, kur më mundi gëzimi i huazuar, s’më mbeti tjetër: iu afrova mikrofonit dhe këndova bashkë me këngëtaren dhe aktoren refrenin ‘siç e do shoqnia – flakë le t’kallét shpija’.
- Mëngjesi më çeli me, as 1 orë gjumë. Dola të mbledh heshtje.
Shqiptarët janë bërë popull shetitës.
Kush nuk shëtit, rri ulur në park, e kush nuk rri ulur në park, rri në kafehane.
Kafehaneve, askund një vend lirë.
Buzë liqenit vraponin dhjetëra djemë me ‘prapa….’ sa sana.
Mendova: a thua a ka antropolog shqiptar, dhe nëse ka, pse s’ka treguar arsyen se pse shqiptarët e kanë fytyrën rrumbullake!
Doja që era e pishave, si fshesë e vrazhdtë oborri, të ma pastrojë trupin nga gëzimi i huaj dhe nga dashuria për atdhe.
Unë as që e dua më këtë atdhe, veç nëse ka dashuri që s’ndjehet….
ama nëse do t’më shihje ti mbrëmë duke festuar golat, do të bindeshe se veç çka s’jam flijuar për këtë vend.
- Tash që gëzimi ish harxhuar, derisa po kërkoja heshtje, aman, 1 minutë heshtje, parkut dëgjoja gratë duke bërë thashetheme….krejt shqiptarët flasin thashetheme, njerëzit e trishtuar janë të prirur t’i qajnë të tjerët…
mbledhësit e tragjedive, dhe burrat duke bërë intriga. - Duke u kthyer në hotel, në të njëjtin vend, përsëri, për të satën herë, e pashë një burrë me mjekër: që hante, pinte, dhe pëshurrte pranë kontenjerëve m’u në qendër, tek blloku.
Në një çast m’u kujtua ‘Beautiful mind’…a mund të ndodh ‘mo Zot, se po e shihja veç unë atë ”fantazmë’ që s’lëvizte vendit, si John Nash që e shihte vajzën e vogël e cila, vitet kalonin, por në mendjen e tij vajza mbetej njësoj e vogël, nuk rritej.
E pyeta bashkëudhëtaren:
- A mos po e sheh ti një person këtu, apo….
- Po, tha.
- Më erdh shumë mirë që e kuptova se jam ‘mirë’.
- Të vetmit shqiptarë të sinqertë janë Albin Kurti dhe Edi Rama: ata nuk e duan njëri-tjetrin, dhe nuk ndjejnë nevojë ta fshehin urrejtjen që kanë për shoqi-sho’in.
- Më mirë urrejtje e sinqertë apa dashuri e rreme?!
Shqiptarët i mbanë të bashkuar dashuria e rreme, sinqeriteti i ndan’.
Dhe kaq gjatë jemi dashur, sepse s’jemi bashkuar kurrë.
Janë kryeministrat e dy shteteve, që fshatrat i kanë pa kanalizim.
Ama, dijen e kanë.
Ata nuk e aktrojnë dashurinë për njerëzit, por garojnë se cili e do Shqipërinë (pa njerëz) më shumë.
Ashtu siç nuk e duam as ne njëri-tjetrit, as s’na merr malli njëri-tjetrit sytë mé ia pá – por s’tregojmë.
P.S. Shumë u gëzova kur u ndamë.