Home KRYESORE KUFIZIMI I BERISHËS, ARRESTIMI I JAMARBËR MALLTEZIT

KUFIZIMI I BERISHËS, ARRESTIMI I JAMARBËR MALLTEZIT

Nga Artur Roshi

Drejtësia e re politike, në shkelje të të gjitha procedurave ligjore, goditi dje familjen e ish-kryeministrit Sali Berisha.

Goditja që i bëhet Berishës është goditje që i bëhet institucionit të opozitës dhe aksionit opozitar, pandaj bëhet në këtë moment.

Pa zbatuar procedurën e kalimit në parlament dhe në orët e vona të mbrëmjes Spaku i ri i regjimit të vjetër u lëshua në selinë e PD në përpjekje për të frikësuar opozitën dhe për ta zhbërë atë duke instaluar de juro diktaturën. Thjesht po goditet shpresa e ndryshimit. Këtë gjë bën dhe Putin, asgjë tjetër më shumë, burgos opozitën.

Çfarë problemi ka që toka të shkojë tek i zoti? Përveç kësaj, Sali Berisha nuk ka asnjë firmë askund në këtë procedurë. Partia Demokratike duhet ta çojë në Gjykatën Kushtetuese Spaku-n për veprimin jokushtetues që ka bërë.

Jamarbër Malltezi nuk ka patur ndonjëherë ndonjë pozicion publik, edhe pse do ishte normale, atëherë ku është korrupsioni i tij? Se mori pronat e nënës së tij si trashëgimtar? Vështirë ta besojë njeri.
Nëse nuk do ishte dhëndër i Berishës, a do merrej SPAK me të? Unë them se jo.

Pse duhet arrestuar kur ai nuk ka asnjë pozicion publik dhe asnjë fuqi që mund të ndikojë në fshehjen e dokumentave dhe po ashtu nuk përbën rrezik shoqëror dhe as nuk është kapur në flagrancë? Gjykata mund ta gjykojë të lirë dhe kur të marrë vendimin të veprojë.

Ky arrestim me bujë i voliti si qeverisë për të trembur opozitën ashtu edhe Spakut të qeverisë për të treguar që po punon dhe po vendos drejtësinë. Ky vendim, është mendësi diktatoriale.

Fatmir Bektashi, një ndërtues serioz që dallon nga mijëra të tjerë, ka faj se ka ndërtuar pallate në pronën e dhëndrit të Berishës?

Fabula ka kohë që është ngritur mbi trillime nëpër tavolina kafenesh. Do bëhet një arrestim i fuqishëm nga ana e Opozitës, por nuk thuhet për çfarë, sepse nuk përballen dot me argumentat as në tavolina. Thjesht thuhet si në kohën e diktaturës se ai i plotfuqishmi(diktatori) do marrë këtë vendim dhe kjo nuk diskutohet. S’ka nevojë për argumente: e di Ai.
Ky është lajmi më i keq për drejtësinë e re. Tregon që kjo drejtësi i ka rrënjët në batakun e diktaturës.

Këtu nuk bëhet fjalë për njerëz të përvetshëm, por për rënien e demokracisë, prandaj duhet te reagojë çdo shqiptar sepse diktaturat cënojnë çdo njeri edhe ata që janë instrumenta të saj.

A.Roshi

Share: