Kufizimi i lirisë së lëvizjes së Berishës, pa autorizim të Kuvendit, është shkelje kushtetuese, kështu e ka cilësuar Gazment Bardhi vendimin e SPAK ndaj Sali Berishës. Në një deklaratë për mediat nga kryesia e Kuvendit, Bardhi thekson se po zhvendoset beteja kundër regjimit të Ramës në betejë me drejtësinë, të cilën nuk kanë deputetët e opozitës
“Grupi i PD-së ka mbështetur në mënyrë të pakushtëzuar reformën në drejtësi dhe punën e SPAK. Drejtësia e pandikuar nga politika është kusht themelor për luftë të vërtetë ndaj korrupsionit dhe pandëshkueshmërisë. Personalisht, mbështes barazinë e cilitdo para ligjit. Në një vend demokratik duhet të ketë zero imunitet parlamentar, por kushtetuta ka ofruar garanci shtesë që duhet të sigurohen pa përjashtim. Kur ndaj një deputeti duhet të caktohet një masë sigurimi prokurori është i detyruar të kërkojë autorizim nga kuvendi. Dje jam njohur me vendimin e GJKKO-së që cakton dy masa ndaj zotit Sali Berisha. Të dyja masat e sigurimit kufizojnë lirinë e lëvizjes. Kufizimi i lirisë së lëvizjes së z. Sali Berishës, pa autorizim të Kuvendit, është një shkelje e rëndë kushtetuese që ngre pikëpyetje të forta mbi arsyet e nxitimit të SPAK.
Imuniteti parlamentar është më së pari garanci ndaj deputetëve të opozitës, edhe pse opozita aktuale nuk kërkon dhe nuk pret mbrojtje, imunitet apo trajtim preferencial nga Drejtësia. Por, drejtësia që të konsiderohet e pavarur, që të trajtohet e respektohet si e pavarur, duhet të kryejë akte me forcën e ligjit, bazuar në prova e me transparencë, e pandikuar nga pushteti dhe duke respektuar procesin e rregullt ligjor.
Personalisht, do të votoja në favor të çdo kërkese të organeve të drejtësisë që do të vinte në Kuvend, si shenjë e besimit tim se askush nuk duhet të qëndrojë mbi ligjin apo të gëzojë një status të vecantë në raport me secilin prej votuesve tanë. Ky eshtë edhe një dallim nga Grupi Parlamentar i PS-së që në të shkuarën kur interesi politik ia ka dashur, ka penguar Prokurorinë të veprojë. Mirëpo, nëse shkelja dhe nxitimi i SPAK për të mos respektuar procedurën e detyrueshme të kërkuar nga Kushtetuta në këtë rast ka pasur si qëllim të krijojë perceptimin e rremë të zhvendosjes së betejës së opozitës nga një betejë kundër regjimit të Edi Ramës, në një “betejë” me drejtësinë, dua të siguroj që ky skenar do të dështojë! Ne deputetët e opozitës nuk kemi betejë me drejtësinë”.
360grade.al