Javën e fundit në disa postime shfaqet e rishfaqet një listë librash. Janë 14-15 tituj që i lidh e i bën grup megallomania. Fillojnë me “Greqishtja fliste shqip” vazhdojnë me pellazgë, hebrej, gjermanë, francezë, egjiptianë dhe popuj e gjuhë të tjera që paskan folur shqip, për të ardhur tek “Natyra fliste shqip” e për të bërë shqiptarë edhe Zeusin, Krishtin, shën Marinë etj. etj.
Si rregull, pasi sillen titujt nisin kritikat: ç’bën Akademia, ku janë akademikët, pse nuk veshin prazmoret e rrëmbejnë heshtat që t’u sulen megallomanëve e të sqarojnë miletin, dmth publikun sa të pabaza e të dëmshme janë përçartjet për zanafillat shqiptare të botës.
Këto kritika për Akademinë, që vijnë e marrin trajtën e qarjeve, më kujtojnë një ndodhi të lashtë. Sokrati, në një nga orët e mësimit, po bënte peripato-në e zakonshme, dmth po shetiste me nxënësit në pjacën e qytetit duke dialoguar. Ndërkohë afrohet një trushkulur, i heq një pëllëmbë surratit dhe ia mbath vrapit. Nxënësit ju sulën pas të merrnin hak, po trushkuluri doli më këmbëlehtë. Kur u kthyen Sokrati i pyeti: ‘Sikur të më kishte shkelmuar ndonjë gomar, a do vraponit pas tij të merrnit hak?’
Këndej mesa duket buron aforizmi: nëse do të bësh gomarllëqe përgjigjiu gomarit.
Ndruaj se do dalin lexues, që nuk e dinë ç’është ligjërimi metaforik dhe do më thonë: nuk ke të drejtë t’i quash gomerë ngaqë mendojnē ndryshe nga ty, mos i ofendo albanologët alternativë, po ke argumenta kundërshtoi😂🤡
( Nga cikli ‘Monopatet e ironisë’ )