OMONIA ka reaguar sërish e revoltuar për Censusin në Shqipëri.
“Ndërkohë që si forum politik i Minoritetit Etnik Grek ndërmorëm denoncimin me dy komunikime të mëparshme të devijimeve serioze nga dispozitat e Ligjit për Regjistrimin e Përgjithshëm të Popullsisë dhe Banesave – Cens 2023, për fat të keq konstatojmë se situata përkeqësohet. Për më tepër, kërkesa që parashtruam në mënyrë insistuese për takim me drejtuesen e – INSTAT, ndeshi shmangie dhe refuzim me pretekst programin e ngarkuar.
Paralelisht me sjelljen antiligjore të regjistruesve që metodikisht nuk u drejtojnë qytetarëve pyetjet e rubrikave sensitive, për origjinën etnike, gjuhën amtare dhe besimin fetar, dhe nuk regjistrojnë përgjigjet respektive duke shkelur të drejtën themelore të vetëdeklarimit, vijon edhe bullizimi i opinionit publik.
Dhe kjo kryhet nga njëra anë me presione provokuese të nëpunësve – regjistrues, prezencën në terren dhe pefshirjen në proces zyrtarësh të shërbimeve shtetërore qe nuk kanë lidhje me Censin dhe nga ana tjeter përmes emisionesh tendencioze televizive me pjesëmarrje ofiqarësh të lartë të shtetit dhe përfaqësues politikë pseudo-patriotik.
Krahas te tjerave, në treva të Korçës, por edhe Përmetit, Ersekës, Lunxhërisë, Myzeqesë, Pogradecit etj. vihet re edhe fenomeni i ushtrimit të ndikimit të qëllimshëm te regjistruesve ndaj qytetarëve të anketuar per konfondimin e tyre në pergjigjet për përkatesinë etnike.
Në qendra të banuara dhe lagje qendrash urbane me prezencë të qënësishme të pjesëtarëve të minoritetit etnik grek që dëshirojnë të regjistrohen si të tillë, duke pasur si gjuhë amtare greqishten dhe besim fetar orthodhoksinë, konstatohet pezullim i paargumentuar i procesit me ndërprerje të prezencës së regjistruesve në terren.
Duke denoncuar në këtë komunikat si dhe në dy te mëparshmet, shkeljet sistematike në procesin e regjistrimit shprehim njëherësh opinionin që mbizotëron se edhe këtë herë shteti synon manipulimin e rezultateve, duke shkelur legjislacionin në fuqi dhe praktikat më të mira për të cilat është i angazhuar zyrtarisht në kuadrin e integrimit në BE”, thuhet në reagimin e tyre, pa sjellë asnjë shembull konkret.
360grade.al