Pesë parti të opozitës në Serbi pranuan dërgimin e një letre në adresë të kryediplomatit të Bashkimit Europian, Josep Borrell, dhe sqaruan përmbajtjen e saj.
Ata pretendojnë se kanë kërkuar nga Blloku që të sanksionojë vetëm presidentin Aleksandër Vuçiç, aleatët e tij të afërt, dhe jo shtetin.
Nënshkruesit e letrës besojnë se Vuçiç dhe Qeveria e Serbisë mbajnë një pjesë të përgjegjësisë për sulmin e armatosur në Banjskë të Kosovës.
Opozita serbe kundërshton vendosjen e masave kundër shtetit, pasi siç thonë, do të rrezikonte Serbinë dhe rajonin dhe do të forconte euroskepticizmin dhe narrativën nacionaliste.
Në letrën dërguar Borrell-it, përshëndetet kontributi i BE-së në ofrimin e zgjidhjeve në dialog, por vlerësojnë se ato kanë rezultuar të pamjaftueshme.
Opozita, flet me të njëjtën gjuhë kur vjen puna në lëshimin e akuzave ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, me pretendimin se kërcënon serbët në Kosovë me brutalitetin e forcave policore duke detyruar largimin e tyre nga veriu.
Sipas pohimeve të pesë partive, popullata serbe e Kosovës është zënë ngushtë mes, siç thonë ata, nga njëra anë, “Listës Serbe” dhe shtypjes sistematike të Albin Kurtit, nga ana tjetër.
360grade.al