Nga Bledi Lumani
Që prej së shtunës mbrëma, kur dy policë civilë i arrestuan dhëndrin në aeroportin e Rinasit, Sali Berisha në çdo dy fjali, përmend emrin e Edi Ramës, si njeriu që qendron prapa gjëmës që i ka rënë familjes së tij.
E harroi papritur Sorosin, McGonigalin, Duçkën, Nezën etj etj, me të cilët justifikonte çdo të keqe që i kishte ndodhur deri me tani, dhe përmend vetëm Edi Ramën.
Dhe si me komandë, të njëjtën gjë thonë në çdo studio televizive, ata që shfaqen si analistë të pavarur dhe që këto ditë po i bëjnë gjyqin publik SPAK-ut, pse ka marrë të pandehur Berishën dhe dhëndrin e tij.
Njësoj si Berisha, dhe sipas tyre, procesi ndaj Sali Berishës është politik dhe prapa gjithë kësaj fshihet dora e Edi Ramës.
Bëjnë sikur e harrojnë në fakt, se SPAK është ngritur dhe financuar nga SHBA, vendi që e ka shpallur “non grata” Berishën, dhe BE.
Nëse do të duhej të akuzohej dikush në këto momente, duke e marrë të mirëqenë që Berishës dhe dhëndrit të tij po i bien më qafë kot dhe se nuk janë të korruptuar, është pikërisht SHBA, pasi dihet publikisht që gjithë reforma në drejtësi, është vepër e SHBA dhe BE.
Por le të ndalemi tek Rama.
Përse do të donte ai në këto momente, që të çonte Sali Berishën në burg?
Cila është arsyeja, që papritur ai ka ngritur në këmbë gjithë sistemin e drejtësisë, për të arrestuar dhëndrin e Berishës dhe për të marrë si të pandehur këtë të fundit?
Çfarë fiton Rama politikisht me goditjen e Berishës, se çështje personale nuk ka me të? Të paktën nuk dimë ndonjë të kohëve të fundit, përveç rrahjes së tij shumë vite më parë nga pushteti i dhunshëm i Sali Berishës. Por vështirë në fakt, se Rama do kujtohej të hakmerrej tani për atë rrahje barbare.
Mund të përpiqesh gjithë ditën të gjesh ndonjë arsye, por nuk gjen dot.
Nuk gjen dot, se në fakt, Edi Rama veç humbet nga burgosja e Sali Berishës.
Humbet, se nuk do të ketë më përballë një kundërshtar, që është kapitali më i madh politik i tij, dhe që i garanton qendrimin në pushtet në pafundësi.
Humbet, se me burgosjen e tij, do të çlirohej opozita dhe kështu do të dilnin alternativa të reja, shumë herë më të besueshme, që nuk shiten e blihen me një leje ndërtimi, dhe do t’i vinin në rrezik pushtetin e tij tashmë të tronditur nga shumë afera.
Humb, edhe sepse nëse burgosen Berisha e Meta, radhën për t’u përballur me drejtësinë mund ta ketë vetë ai.
Ndaj personi i parë që nuk e do arrestimin e Berishës, është pikërisht Edi Rama dhe socialistët e tjerë që janë në pushtet, të cilët këto ditë, duken më të mërzitur edhe se vetë Doktori, për fatin e këtij të fundit.
Atij i duhen të jenë aty të gjithë, Berisha, Meta, Basha, Mediu, se janë oksigjen për të, që e mbajnë në jetë dhe i zgjasin pushtetin.
Kush thotë të kundërtën, që Rama qenka trembur nga Berisha, se ky i fundit do e rrëzojë nga pushteti tani që u bashkua me Gaz Bardhin, dhe ndaj po hakmerret duke e futur në burg, nuk tregon të vërtetën, por përralla për të shtyrë mbrëmjet e këtij fillim dimri që duket se nuk po vjen. Me përjashtim të familjes Berisha, ku acari ka ardhur para kohe.
360grade.al