Jasna Gugić ka lindur në Vinkovci të Kroacisë. Ajo është Nënkryetare për Marrëdhëniet me publikun e Shoqatës së Artistëve dhe Shkrimtarëve të Botës SAPS; Ambasadori Global i Alfabetizmit dhe Kulturës për Shkrimtarët Global të Indonezisë Asih Sasami, P.L.O.T.S (USA), Ambasadore e Revistës Kreative për Kroacinë; dhe Anëtare e Angeena International, Organizatë jofitimprurëse për paqen, njerëzimin, letërsinë, poezinë dhe kulturën. Ajo është gjithashtu bashkëredaktore e antologjisë, Compassion – Save the World, me poezi ku marrin pjesë 130 poetë nga e gjithë bota. Ajo u vlerësua me Çmimin e rëndësishëm me një nominim të vetëm për Kroacinë, i cili iu dha nga UHE – Unioni i Shkrimtarëve të Botës Hispanike – César Vallejo (2020) – Çmimi Botëror për Përsosmërinë Kulturore.
Jasna është fituese e shumë çmimeve ndërkombëtare në poezi dhe letërsi dhe veprat e saj janë përkthyer në disa gjuhë të huaja. Përmbledhja e saj me poezi u botua në vitin 2021, botim ky dygjuhësh anglisht – kroatisht, me titull: “Kënga e heshtjes”. Aktualisht Jacna Gugić jeton dhe punon në Zagreb, Kroaci.
Poezitë e saj janë botuar nëpër revista si në: SHBA, Spanjë, Greqi, Itali, Rusi, Indi, Siri, Danimarkë, Brazil, Kroaci, Meksikë, Bangladesh, Serbi, Shqipëri, Nigeri, Belgjikë, Kinë, Kili, Nepal, Pakistan, Kore, Gjermani, Turqi, etjer…
POETET
Ku jeni poetë,
ju magjistarë?
Le ta ngjyrosim me vargjet tona
këtë botë të trishtuar
dhe njerëzit me maska,
sepse pas maskës dhe syve
humbet shkëlqimi i tyre
dhe ne nuk marrim më frymë.
Le ta ngremë zërin
dhe ta pastrojmë baltën nga këmbët.
Le ta ngremë zërin
për të gjithë ata që heshtin
të izoluar nëpër shtëpi,
të zhytur në mjerim
në punë rutinë të përditshme.
Le ta mbulojmë gjithë këtë
me imagjinatën tonë
botën e programuar
e le të ruajmë profumin e fëmijërisë
me puthjet e para që akoma përjetojm.
Le ta kthejmë dashurinë
në gëzimin hyjnor të jetës,
le ta përkthejmë nga këngët tona,
le të rrjedhë nëpër rrugë
dhe tërë botën të prekë
çdo person të vetmuar në lot
dhe gratë veshur me të zeza.
JETA
Kjo është jeta
e lagur me lot
dhe fjalët janë shumë të pakta
le ta tregojmë gjithë jetën në një çast
dhe dashurinë time fshehur në cepat e vetmisë. Kjo është jeta
e lagur me lot dhe dhimbjen e së kaluarës
ajo është më e fortë
nga vrapimi i ardhshëm
në puthjen e natës
dhe ikja ime është më e fortë
nga forca e vullnetit tim.
Kjo është jeta
e lagur me lot
nga gëzimi i pakët
hidhërimi i të dëshpëruarve
dhe mosbesimi i ndonjë malli të ri.
Kjo është jeta
e lagur me lot
por sot është një buzëqeshje në sytë e mi.
Mos shko larg buzëqeshjeve të mia
mos më jep pikëllim për ta shuar këtë zjarr
të paktën ndonjëherë
kur harroj se kjo jetë është e lagur me lot.
SHPRESË
Do të doja të shkoja
përgjatë shtigjeve të shpresës së re
dhe të fshija gjurmët pas teje
sepse shoqëria jote
është e tepërt para lindjes së diellit.
Do të doja të ecja në tokën e vetmisë ndër vite dhe të udhëtoj përreth
deri në heshtjen e boshllëkut
i çliruar nga të gjitha fjalët dhe veprat tua.
Do të doja të rilindja sërish
kulluar në pastërtinë e shpirtit tim
dhe të ndalem para qiellit me yje
si njeri i porsalindur.
Më vjen keq për fjalën time të ashpër
ndaj ji i durueshëm
sepse vetmia është e imja në vetminë tënde.
Ti je vetvetja ime!
Ti mendon atë çka unë kam frikë.
SI MË PARË
Do të të kërkoj dhe kur të mbarojë kjo ditë
e do të shkoj nëpër natë me një pallto të vjetër
si dikur pa menduar në po atë rrugë
që ti e ke harruar
dhe e di që do tē takoj në rrugën time
nën gështenjat e vjetra ku ti buzëqesh.
Bëje të lumtur këtë natë të errët
dhe më ndriço fytyrën.
Më befaso me një këngë
ashtu siç bëje më parë
dhe unë e ti do të këndojmë sërish
për të vrarë trishtimin e viteve.
HESHTJE
Heshtja tek mua
si rrufeja në qiell shpërthen
mbi qiellin gri duke e larguar frikën time
të grumbulluar në vitet e mospërkatësisë.
Ti nuk e njeh frikën time të heshtur
ndaj humbet nëpër fjalë
në njerëz të panjohur
duart e të cilëve nuk munden të prekin
butësinë e zemrave tona.
Mos më lër të hesht
sepse dashuria ime
vlen mē shumë se buzëqeshja jote
është më tingëlluese!
SHQETËSIM
Ankthi im lindi
në një moment keqardhjeje për veten
i shfaqur në kërkim të lumturisë
kur gjithçka është tepër gri
si mjegulla e dendur që zbret
në fushat e vendlindjes sime në vjeshtë.
Ankthi im!
ku do të zbarkosh tani
në një vend të huaj
ku nuk shfaqet aspak
mjegulla e vendlindjes sime.
Përktheu Angela Kosta shkrimtare, poete, gazetare, eseista, Zv.Drejtore & Kryeredaktore në Albania Press.