Ish-zëvendësministri i Energjitikës, Dorian Duçka, u pa sot pasdite të hynte në ndërtesën e SPAK, ku qëndroi mbi katër orë. Duçka është i njohur nga dosja e ish-zyrtarit të lartë të FBI-së, McGonigal si personazhi B, ku citohet si këshilltar i jashtëm i kryeministrit Rama.
Gazetarët Artan Hoxha dhe Eni Ferhati thanë në emisionin “Të Paekspozuarit”, në MCN TV, se thirrja e tij mund të ketë lidhje me dy çështje, asaj të “McGonigal” dhe “CEZ-DIA”, që lidhet me kohën kur ai ishte zv/ministër i Energjitikës.
Artan Hoxha: Dorian Duçka u kthye në një personazh shumë interesant në çështjen e ish-zyrtarit të FBI-së, McGonigal dhe është personi B. te dosja e famshme amerikane dhe personin A, Agron Nezën që dilte në foto me Safet Gjicin. Në janar të këtij viti, PD ka bërë një kallëzim në SPAK. Në 25 shtator Gazment Bardhi shkoi për t’u interesuar se çfarë është bërë me atë hetim. Duçka është personi që ka dijeni për rrethanat e hetimit dhe ky është statusi i tij i sotëm.
Duçka ka qenë zv.ministër i Energjetikës nga 5 tetori 2013 deri në shtator 2015 dhe ministër ishte Damian Gjiknuri. Kjo përkon edhe me historinë e CEZ-DIA-s dhe ka qenë i përfshirë te pjesa e energjisë për shkak të njohjeve. Madje edhe si këshilltar i jashtëm i kryeministrit Rama, siç erdhi më vonë. Mëgjithatë fakti që sot ka shkuar pa avokat, ai nuk ka dhënë deklaratë, as SPAK-u nuk ka dhënë njoftim, nuk ka qenë në kuadrin e personit nën hetim dhe ka dijeni për rrethanat e një hetimi.
Eni Ferhati: Nuk na është konfirmuar zyrtarisht që çështja “McGonigal” është regjistruar si procedim penal se mund të jemi në fazën e verifikimit paraprak. Pra nuk e dimë nëse është një dosje konkrete apo jo. Po t’i shkojmë logjikës se duhet të jetë një dosje për regjistrim penal më vete, atëherë i bie që të merren më pyetje edhe shumë personazhe të tjerë të përfshirë në këtë çështje, siç janë ata që dalin duke ngrënë qofte me z. McGonigal deri te kryeministri.
Z. Duçka ishte tepër i rezervuar dhe më bëri përshtypje koha e gjatë që u mbajt, për rreth 4-5 orë dhe kur mbahesh për kaq kohë, ka diçka konkrete, por duhet të jetë Prokuroria e Posaçme që duhet të qartësojë publikun.
Artan Hoxha: Di që çështja CEZ-DIA ka avancuar goxha përpara, sepse dëmi që u është shkaktuar shqiptarëve aty është mbi 400 milionë euro. Nëse te inceneratorët themi se deri në vitin kaq do të shkojnë kaq, aty kanë ikur ato dhe aty ka edhe persona që kanë statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë./TPZ