Që nga nisja e konfliktit mes Hamasit dhe Izraelit me 7 tetor të këtij viti, numri i viktimave dhe në Gaza ka rritur në të paktën 5,087 njerëz, ndërsa 15,273 të tjerë janë plagosur.
Ministria e Shëndetësisë e Autoritetit Palestinez, ka bërë më dije se në Bregun Perëndimor të pushtuar të paktën 95 palestinezë janë vrarë dhe 1,828 janë plagosur që nga sulmet e Hamasit dhe hakmarrja izraelite.
Ndër të tjera në deklaratën e Ministrisë thuhet se Rripi i Gazës ka përjetuar 250 sulme në sektorin e tij shëndetësor, duke lënë një pjesë të madhe të popullsisë së saj pa ndihmën e duhur mjekësore, raporton CNN.
Sa i përket infrastrukturës shëndetësore, Ministria deklaroi se dhjetë nga 35 spitalet në Rripin e Gazës, janë aktualisht jofunksionale. Nga këto, nëntë spitale janë “shkatërruar ose jashtë funksionit”.
“Sektori i shëndetësisë ka humbur më tej 54 personel shëndetësor, me mbi 90 të lënduar. Ambulancat janë prekur gjithashtu, me 50 të goditur dhe 23 tani jashtë shërbimit”, thuhet në deklaratë, shtoi ajo.
Përpos përballjes me shpërthimet dhe sulmet, në Gaza banorët tashmë po përballen dhe me sëmundje si lia, zgjebja dhe diarreja, të cilat sipas CNN, janë shfaqur për shkak të përkeqësimit të mjedisit shëndetësor, mungesës së kanalizimeve dhe konsumit të ujit nga burime të pasigurta.
Spitalet janë drejt kolapsit, duke funksionuar me më shumë se 150% të kapacitetit të tyre.
“Situatat janë bërë aq të rënda saqë operacionet po kryhen pa anestezi, dhe në disa raste, nën ndriçimin e dritave të telefonit”, shtoi Ministria e Shëndetësisë e Autoritetit Palestinez. Pacientët po trajtohen në korridore, në dysheme dhe vende të tjera të papërshtatshme. Për shembull, Kompleksi Mjekësor Al-Shifa aktualisht trajton 5000 pacientë në ditë, ndërsa kapaciteti i tij është 700”, tha ministria.
Ministria e Shëndetësisë e Autoritetit Palestinez theksoi se nuk mund të injorohet as kriza e afërt e shëndetit të nënës dhe fëmijës.
Rreth 50,000 gra shtatzëna po përpiqen të kenë akses në kujdesin shëndetësor, me rreth 166 lindje të pasigurta që ndodhin çdo ditë, muaji i ardhshëm parashikohet të dëshmojë 5,500 lindje në këto kushte sfiduese.
360grade.al