Serbia duhet të japë përgjigje sa i përket sulmit ndaj policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator. Kështu tha presidenti kroat, Zoran Millanoviç, gjatë një konference për media me homologen e tij kosovare, Vjosa Osmani, në Zagreb, duke këmbëngulur se sulmi nuk do të kishte ndodhur pa dijeninë e Beogradit.
“Qëndrimi ynë është i qartë. Serbia duhet të na japë përgjigje për disa gjëra të dukshme që nuk mund t’i shpëtojnë vëmendjes as të një fëmije të vogël”, tha Millanoviç, duke iu referuar sulmit në Banjskë.
Në Banjskë, një grup i armatosur i serbëve sulmuan policinë e Kosovës, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku. Më pas sulmuesit u strehuan në manastirin në këtë fshat, prej ku vazhduan përleshjet me policinë. Gjatë përleshjeve u vranë tre sulmues.
Kosova ka fajësuar Serbinë për sulmin, por Beogradi ka mohuar çdo përfshirje.
360grade.al