Home Gjeo-Ekonomia Taksa e re e ndërtesave/ Për shtëpitë pritet të paguhet 50% më...

Taksa e re e ndërtesave/ Për shtëpitë pritet të paguhet 50% më shumë, ndërsa për dyqanet…Ja kur pritet të hyjë në fuqi drafti

Projektligji “Për taksën mbi pasurinë e paluajtshme” i prezantuar në muajin gusht nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë pritet të rrisë detyrimin e taksës së ndërtesës tek apartamentet 18 deri 50% dhe te dyqanet deri 25%, sipas shembujve të MFE për llogaritjen e taksës së re.

Drafti është ende në fazë konsultimesh. Për grupet e interesit dhe pushtetin vendor, Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka shpërndarë dokumentin “Reforma e taksës së pasurisë 2024-2028” ku paraqiten shembujt për llogaritjen e taksës për secilën kategori, duke përfshirë, ndërtesat e banimit, për qëllime biznesi, si dhe për traullin, tokën bujqësore dhe pyjore.

Drafti i ri parashikohet të hyjë në fuqi nga 1 janari 2026 për ndërtesat, ndërsa për kategoritë që përfshin parcela, tokë bujqësore dhe truall nga 1 janari 2028. Projektligji i ri jo vetëm rrit nivelin e taksës, por ndryshon edhe metodologjinë për llogaritjen e çmimeve mesatare për të gjitha kategoritë e pasurive të paluajtshme, ky synohet t’u afrohen vlerës së tregut. Drafti propozon që niveli i taksës për ndërtesat e kategorisë rezidenciale të variojë nga 0,1% deri në 0,2% nga 0,05% që është aktualisht, për ndërtesat tregtare nga 0,15 deri në 0,25% nga 0,2% që është dhe për ndërtesat bujqësore dhe industriale niveli i taksës varion nga 0,15 deri 0,25%.

Taksa për të gjitha kategoritë e pasurive të paluajtshme do të llogaritet mbi vlerën e re të pronës. Vlera do të përcaktohet në një hartë te re me çmime mesatare referuese, por e ndarë për njësitë e ndërtesave rezidenciale, të shërbimit, si dhe çmimet mesatare referuese të parcelave, duke përfshirë të truallit, tokës bujqësore dhe asaj pyjore.

Sipas dokumentit për reformën e taksës, për parcelat do të jetë Agjencia Shtetërorë e Kadastrës që do të përgatisë, në përputhje me legjislacionin në fuqi, zonat e vlerave dhe çmimet referuese. Ndërsa Drejtoria e Përgjithshme e Taksës së Pasurisë do të përcaktojë, zonat e vlerave dhe çmimet referuese për njësitë e ndërtesave, si dhe vlerat e vlerësuara të pasurive të paluajtshme.

Taksa për shtëpitë rritje deri 50% sipas shembujve të Financave

Sipas shembujve të Ministrisë së Financave, detyrimi i taksës për apartamentet do të rritet nga 18 deri 50%. Taksa e ndërtesës për shtëpitë, aktualisht është 0,05% e vlerës së shtëpisë. Vlera e apartamentit përcaktohet nëpërmjet çmimeve fiskale referuese që janë në fuqi.

Me draftin e ri, taksa për ndërtesat rezidenciale propozohet të variojë nga 0,1% deri në 0,2%. Drafti propozon zbritje 50% të vlerës së vlerësuar të banesës së parë, por në çdo rast, jo më shumë se pragu maksimal i zbritjes i ndarë për 4 kategori bashkish (kategoritë janë përcaktuar në shtojcën 1 të këtij draftit) apo pragu maksimal i vendosur nga Këshilli Bashkiak. 

Referuar shembujve të Ministrisë së Financave për një apartament me sipërfaqe 72 m2 në Tiranë me çmim mesatar referues prej 100,000 lekë/m2 vlera e shtëpisë është 7,200,000 lekë. Aktualisht detyrimi vjetor për këtë apartament është 3,600 lekë.

Me formulën e re, pasi i zbritet 50% e vlerës së shtëpisë, e llogaritur me shkallën e taksës 0,12% për vlerën e mbetur prej 3,600,000 lekë detyrimi do të jetë 4,320 lekë në vit. Rritja është 18%.

Ndërsa për një apartament me sipërfaqe me 100 m2 në Tiranë me çmim referencë mesatar të supozuar 150,000 për metër katror me ligjin e ri detyrimi për taksën do të jetë 12,600 lekë në vit nga 7,500 lekë që paguan aktualisht. Rritja 50%.

Për një apartament në Vlorë me sipërfaqe 110 metra katror me çmim referencë 90,000 lekë për metër katror, duke I zbritur nga vlera 3,000,000 lekë (bashkia e Vlorës përfshihet në kategorinë e dytë, ku zbritja e vlerës së shtëpisë së pataksueshme është deri në pragun e 3,000,000 lekëve) do të paguhet 8,280 lekë taksë në vit nga 4,950 lekë që paguhet aktualisht. Rritja do të jetë 50%. Me formulën e re rritje të taksës së ndërtesës për shtëpitë do të ketë edhe për bashkinë Memaliaj nga 18 deri 49% sipas shembujve të paraqitur në dokumentin e Ministrisë së Financave.

Taksa për dyqanet rritet deri 25% sipas shembujve të Financave

Detyrimet për taksën vjetore të ndërtesave nga 2026 do të rriten edhe për pronarët e dyqaneve. Aktualisht formula e llogaritjes së vlerës së taksës së ndërtesës ku zhvillohet aktiviteti ekonomik, parashikon që taksa është 0,2% e vlerës së dyqanit, ndërsa vlera e dyqanit në Tiranë llogaritet sa dyfishi i çmimit fiskal për metër katror të apartamenteve.

Shkalla e taksës së ndërtesës për dyqanet nga 2026 parashikohet të jetë nga 0,15% deri 0,25%. Vlera referuese të çmimeve mesatarë për dyqanet do të jenë të reja të përcaktuara në hartën e vlerës së re të pronave. Në tabelën me shembujt e paraqitur nga Ministria e Financave pronari i një dyqani në Tiranë me sipërfaqe 50% nga 30,000 lekë taksë në vit që paguan aktualisht, pas miratimit të ligjit të ri do të paguajë 37,500 lekë në vit (e llogaritur me shkallën e taksës 0,25%). Rritja është 7,500 lekë në vit apo 25%. Për një biznes në Vlorë detyrimet rriten 3,750 lekë në vit dhe për një dyqan në Fier 2,500 lekë në vit.

SHKALLA E TAKSËS MBI NDËRTESAT

Shkalla e taksës aktualisht:

0,05%, për ndërtesën/njësinë pronësore që përdoret, shfrytëzohet për banim;

0,2%, për ndërtesën/njësinë pronësore që përdoret, shfrytëzohet për veprimtari ekonomike;

30% e shkallës së taksës përkatëse, për të gjithë sipërfaqen ndërtimore, për të cilën zhvilluesi është pajisur me leje ndërtimi dhe nuk ka arritur ta përfundojë atë, sipas afatit të përcaktuar në aktin e miratimit të kërkesës për leje ndërtimi.

Shkalla e taksës në të ardhmen:

Për të gjithë njësitë e ndërtesave, që përfshihen në kategorinë e pronave rezidenciale, shkalla e taksës mund të variojë në shkallët nga 0,1% deri në 0,2%;

Për të gjithë njësitë e ndërtesave, që përfshihen në kategorinë e pronave bujqësore – blegtorale, shkalla e taksës mund të variojë në shkallët nga 0,15% deri në 0,25%;

Për të gjithë njësitë e ndërtesave, që përfshihen në kategorinë e pronave tregtare, shkalla e taksës mund të variojë në shkallët nga 0,15% deri në 0,25%;

Për të gjithë njësitë e ndërtesave, që përfshihen në kategorinë e pronave industriale, shkalla e taksës mund të variojë në shkallët nga 0,15% deri në 0,25%.

Shkalla e taksës për ndërtesën e papërfunduar është 30% (tridhjetë përqind) e shkallës së taksës së kategorisë përkatëse të ndërtesës./Monitor

Share: