Home Gjeo-Ekonomia Turqia: Thirrja për evakuim në Gaza është e papranueshme! Shkelje e qartë...

Turqia: Thirrja për evakuim në Gaza është e papranueshme! Shkelje e qartë e ligjit ndërkombëtar

Thirrja e ushtrisë izraelite që palestinezët në veri të Gazës të evakuohen në jug, “në asnjë mënyrë nuk është e pranueshme”, tha Ministria e Jashtme e Turqisë.

Çdo evakuim me forcë i civilëve “është shkelje e qartë e ligjit ndërkombëtar”, u tha në njoftimin e kësaj ministrie.

Turqia i bëri thirrje Izraelit që “menjëherë të tërheqë” vendimin dhe t’i japë fund “veprimeve brutale ndaj popullatës civile” në Gazë.

Ndërkaq, presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, gjatë një konference për media më 13 tetor, tha se Izraeli duhet të lejojë që ndihma humanitare të shkojë në Rripin e Gazës përmes pikëkalimit Rafah të Egjipitit, përderisa avioni i parë turk me ndihma arriti në Egjipt.

Gjatë fjalimit në Stamboll, Erdogan tha se Turqia do të vazhdojë të dërgojë ndihma në Gazë, në bashkëpunim me Egjiptin. Ai tha po ashtu se autoritetet turke po vazhdojnë kontaktet për të liruar pengjet dhe për të gjetur një zgjidhje për krizën.

Më 13 tetor, autoritetet izraelite u bënë thirrje mbi 1 milion palestinezëve që të largohen për në jug të Gazës, teksa është rritur frika për një sulm të mundshëm tokësor.

Banorët në Gazë kanë filluar që të largohen nga shtëpitë e tyre.

Më 7 tetor, grupi militant palestinez i Hamasit nisi një sulm të paprecedent, duke sulmuar nga toka, ajri dhe deti Izraelin. Ky i fundit u kundërpërgjigj me bombardime në Rripin e Gazës, ku jetojnë 2.2 milionë palestinezë.

Izraeli është zotuar se do të mposhtë militantët e Hamasit, të cilit udhëheqin Gazën që nga viti 2007.

Gjatë sulmit të 7 tetorit, Hamasi mori afër 150 pengje dhe i dërgoi në Gazë, përderisa si pasojë e dhunës janë vrarë mijëra persona në të dyja palët e konfliktit. Militantët kanë kërcënuar se do të vrasin pengjet, nëse Izraeli kryen sulme ndaj civilëve në Gazë pa paralajmërim./ rel

Share: