Bashkimi Evropian planifikon të ndihmojë vendet e Ballkanit Perëndimor që të ndjekin reformat e nevojshme për integrimin me “çekun” e investimeve prej 6 miliardë eurosh, tha të hënën në Shkup presidentja e ekzekutivit të BE-së Ursula von der Leyen.
Maqedonia e Veriut, Shqipëria, Kosova, Serbia, Mali i Zi dhe Bosnja dhe Hercegovina duhet të shfrytëzojnë “dritaren e mundësive” për zgjerimin e BE-së dhe të punojnë për të harmonizuar standardet e tyre me ato në bllok, tha von der Leyen.
Von der Leyen tha se plani i ri i rritjes së BE-së për rajonin do të përfshijë hapjen e tregut të përbashkët për vendet e Ballkanit Perëndimor në fusha të tilla si lëvizja e lirë e mallrave dhe shërbimeve, transporti dhe energjia. Ajo u kërkoi gjithashtu vendeve të hapin një treg të përbashkët rajonal dhe të ndjekin reformat e nevojshme, raporton Reuters.
Maqedonia e Veriut, për shembull, duhet të reformojë mjedisin e saj të biznesit, të krijojë një administratë publike efikase, të ketë financa publike të shëndosha dhe të përmirësojë luftën kundër korrupsionit. Ajo gjithashtu duhet të ndryshojë kushtetutën për të njohur bullgarët si pakicë, siç kërkohet nga Bullgaria për të lejuar vendin të bashkohet me BE.
“Këto reforma do të vijnë me investime,” tha von der Leyen gjatë një konference për shtyp me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut Dimitar Kovacevski në fillim të turneut të saj në Ballkanin Perëndimor.
“Ne kemi propozuar një paketë prej 6 miliardë eurosh (6.34 miliardë dollarë) për partnerët e Ballkanit Perëndimor,” tha ajo.
Von der Leyen tha se BE-ja ishte e gatshme të fillonte disbursimin e 100 milionë eurove në ndihmë mikrofinanciare, por “ne duhet të bëjmë më shumë, duhet t’i afrojmë ekonomitë tona”, pasi ekonomitë e vendeve të Ballkanit Perëndimor përbëjnë rreth 42% të të ardhurat mesatare të BE-së.
Top Channel