Kryeministri Edi Rama mikpriti sot në mbrëmje presidentin e Francës, Emmanuel Macron, i cili mbërriti këtë pasdite në Tiranë.
Kjo është hera e parë që një President francez zhvillon një vizitë zyrtare në Shqipëri.
Në një pritje nderi të organizuar në Pallatin e Brigadave, presidenti francez foli edhe shqip në fund të fjalës së tij.
“Po ngre gotën time për Shqipërinë, popullin shqiptar, për lidhjet e ngushta e kaq të veçanta, që na bashkon për Evropwn që ndërtojmë bashkë rroftë Shqipëria, rroftë miqësia franko-shqiptare”, tha ai.
Macron më parë i dorëzoi shkrimtarit tonë të shquar, Ismail Kadare, Dekoratën e “Oficerit të Madh të Legjionit të Nderit”.
Presidenti i Francës Emanuel Macron e pati të pamundur të ishte pjesë e Samitit të Procesit të Berlinit, edhe pse ora 19:30 e pasdites të së hënës e gjeti në Shqipëri për të vijuar takimet bilaterale të planifikuara.
Presidenti francez u prit nga zëvendës kryeministrja Belinda Balluku në aeroportin “Nënë Tereza”.
Në të parën vizitë zyrtare të një presidenti francez në vendin tonë, paraditen e të martës do t’i rezervohet një pritje shtetërore nga presidenti Bajram Begaj. E më pas do të zhvillohet një takim në Kryeministri me kreun e qeverisë Edi Rama.
Top Channel