Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së ka folur për vrasjen e oficerit të Policisë Afrim Bunjaku, nga grupi i serbëve që kryen agresion në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator.
Osmani tha se i ndjeri Afrim Bunjaku e humbi jetën duke mbrojtur integritetin territorial të Kosovës.
Në fjalimin e saj, tutje ka theksuar se Serbia po përpiqet që agresorin ta shndërrojë në viktimë.
“Sot ajo se çka kemi dëgjuar nga Serbia është zgjatje e përpjekjeve për ta nxitur këtë aktin e agresionit”.
“Në ditën e sulmit institucionet e Kosovës kanë mbajtur kontakte me praninë ndërkombëtare ashtu siç ka qenë historikisht. Do të vazhdojmë që të bashkëpunojmë me aleatët tanë që t’i kundërvihemi akteve të tilla dhe që t’i parandalojmë që ato të mos ndodhin më”, u shpreh Osmani.
Ajo iu drejtua me një mesazh serbëve që jetojnë në Kosovë, duke u thënë se Kosova është shtëpia e tyre.
“Ne jemi të përkushtuar që të bëjmë më shumë për serbët në Kosovë. Por, ne nuk do t’i japim Serbisë instrumente përmes së cilave ata mund të shkatërrojnë jetën e serbëve që jetojnë në Kosovë dhe të vazhdojnë të tentojnë të shkatërrojnë sovranitetin dhe integritetin tonë territorial”, tha Osmani.
360grade.al