Presidenti ukrainas, i papritur në Bruksel për takimin ministror të NATO-s, i thotë Stoltenberg se prioriteti për vendin e tij është mbrojtja ajrore në funksion të dimrit.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, i cili ka mbërritur papritur në Bruksel për të marrë pjesë në takimin e ministrave të Mbrojtjes së NATO-s, ka hedhur idenë për mbajtjen e zgjedhjeve, pavarësisht se vendi i tij është në luftë me Rusinë.
Zelensky është shprehur i gatshëm të kandidojë sërish në zgjedhjet presidenciale të Ukrainës vetëm nëse ato zhvillohen gjatë luftës.
“Nëse lufta vazhdon, po. Nëse lufta përfundon, jo“, tha presidenti ukrainas për kanalin rumun Digi24 kur u pyet mbi zgjedhjet.
Ai po ashtu nënvizoi në prononcimin e tij se Rusia “nuk mund të përballojë një tjetër garë armatimi“.
“Jemi në një situatë ku në terren është e rëndësishme të bëjmë presion, pa asnjë pauzë. Rusia e ka humbur iniciativën në shumë pika dhe ne duhet të rrisim presionin. Duhet të sigurohemi që Moska të humbasë dhe të mos ketë kohë për t’u përshtatur nën presionin tonë. Këtë dimër, Rusia do të përpiqet të përsërisë taktikat e vitit të kaluar. Putini nuk do ta ketë Ukrainën, Rusia nuk mund të përballojë një tjetër garë armatimesh”, shtoi ai.
Sakaq, kreut të NATO-s Jens Stoltenberg, lideri i Kievit i kërkoi në veçanti “një sistem të mbrojtjes ajrore si përparësi për ushtrinë në funksion të dimrit” dhe shpjegoi se lufta “ka arritur fazën e saj përfundimtare, më të vështirë“.
Në fund, Zelensky ka shprehur qëndrimin e tij edhe për konfliktin e rindezur midis Hamasit dhe Izraelit, duke kërkuar nga Perëndimi që të mos e lërë vetëm popullin e Izraelit përballë terroristëve.
“Ne jemi në luftë dhe e kuptojmë se çfarë do të thotë të kesh sulme terroriste. Mbaj mend ditët e para të luftës sonë në shkallë të gjerë që filloi me sulmet terroriste nga Bjellorusia. Nëse mund t’u jap një rekomandim udhëheqësve të Perëndimit, ai është të mos e lënë popullatën izraelite të ndihet vetëm. Nuk po flas për mbështetjen për institucionet, por për njerëzit që pësuan sulmet”, tha ai.
360grade.al