Home Approccio Italo Albanese ANGELA KOSTA TRADUCE IN ITALIANO I VERSI DEL POETA ALBANESE LULZIM HAJDARI

ANGELA KOSTA TRADUCE IN ITALIANO I VERSI DEL POETA ALBANESE LULZIM HAJDARI

Sot sjellim për lexuesit në dygjuhësh
disa poezi të poetit kuksian Lulzim Hajdari.

Në vargjet e autorit shtrihet gjerësisht me mjeshtëri platforma e jetës me të gjithë brendësinë e saj: emocionet, dëshirat, melankolinë, nostalgjinë dhe pjekurinë e virtytet e njeriut. Tek këto vargje shfaqen gjithashtu ndjenja e dashurisë së madhe dhe të përjetshme, natyra melankolike me dhimbje dhe mallin e pashuar kundrejt të dashurës të cilën e dashuron dhe e admiron bukurinë e saj hyjnore aq shumë, saqë ai nuk ka nevojë as për dritën e hënës dhe as për yjet ta kundrojë me kërshëri. Nëpërmjet këtyre vargjeve, autori na shpreh gjithashtu keqardhjen për atdheun e tij, lëvdatat e shumta për fitoret dhe trimat e dikurshëm të cilët dje dhuruan jetën për një atdhe sa më të bukur, ndërsa sot asgjë nuk ka mbetur nga këto lëvdata sepse vendi po përjeton degradimin total. “S’di çfar t’i them nipit” është alegoria më e goditur që poeti na paraqet këtu. Figuara e nipit tregon brezin e ardhshëm dhe ky reflektim, na bën edhe ne të pyesim si do të jetë e ardhmja dhe cilat do të jenë perspektivat e saj. Në këto poezi Hajdari përdor metafora me shumë ngjyra të veçanta të cilat kompletojnë të gjithë panoramën e të qenit të dashuruar. Ai arrin të dashurojë në mënyrë platonike dikë të paarrirë realisht por e tija shpirtërisht. Në disa vargje të tjera poeti ngre përsëri me mjaft mjeshtëri siparin e kujtimeve. Thuajse të jetë spektator por njëkohesisht edhe regjisor ai vë në skenën e jetës aktorët e ngurtësuar me zë të mekur, përroin pa ujë, përvëlimin si prush, retorika dhe metafora këto që përshkojnë dhe përçojnë dhimbjen e kohës. Mjaft i bukur peisazhi i vjeshtës nëpërmjet penës së tij, penel shtatë ngjyrash që ngjyros jo vetëm shpirtin e poetit por edhe të lexuesit i cili mbetet i përqëndruar dhe tërheqës nga këto metafora dhe vargje mahnitëse.

Lulzim Hajdari ka lindur me 05 prill të vitit1972 në Shtiqën (Kukës – Albania), mbaroi tetë – vjeçaren dhe shkollën e mesme. Me pas ai kreu studimet e larta për Drejtësi. Që në bankat e shkollës, Lulzim Hajdari
filloi të shkruante prova dhe poezi duke i botuar në revista të ndryshme. Ai ka është vlerësuar me disa çmime letrare brenda vendit si dhe çertifikata të ndryshme vlerësimi. Lulzim Hajdari është Sekretar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë në Kukës.

Po ju paraqesim librat që ka botuar:

  • Vajza që trazoi jetën time (Novelë)
  • Dëshmia e hënës (Novelë)
  • Sytë mashtrues (Novelë)
  • Rikthim në jetë (Roman)
  • Lisjani (Roman)
  • Në letrën e fundit (Poezi)
  • Djali me yll dhe vajza me hënë (Përrallë)
  • Zogu që sfidoi merimangën gjigande (Përrallë)
    Së shpejti në botim e sipër është novela:
    “Ditari i një gruaje”.

ËNDËRR ZHVESHUR ERDHI VJESHTA

Ëndërr zhveshur erdhi vjeshta
Vesa preku shpirtin tim,
Dritën e hënës e mori agu
Rrezja e diellit ra n’perëndim.

Bulza uji mbushur degët
Sikur loti në harrim,
Po lag gjethen e këputur
Që ra sipër unit tim.

Fati i thyer gjatë degdisi
Nëpër brigjet e pafund,
Thinjur, rrudhur, sa u mplaka
Rob i lodhur pa u ndal kund.

ËNDËRR THEKUR NGA HARRESA

Gëlon pritja ditë e netë
mos ylberi në shpërthim,
me shtatë ngjyra lehtë e lehtë
I jep ngjyrë shpirtit tim.

Mbet’ sipari i rënduar
dhe aktorër ngurtësuar,
lidhur gjuha, dhimbja nyje
mbeti skena natë pa yje.

Zë i mekur zënë në grykë
mbet’ aktori si statuj,
Prush i kohës n’përvëlim
përroi i shpirtit mbet pa ujë.

Ëndërr thekur nga harresa
gjumi mori udhë pa kthim
U palos dhimbja në shtresa
Në sirtar të arkivit im.

HIPOKRIZIA E FJALËS “KRENARI”

I ndarë në pesë – gjashtë copa jam
I pushtum një jetë të tanë,
E kur lexoj e dëgjoj fjalën “Krenari”
Me plotë goj më duket hipokrizi…

Ne vërtetë s’tentuam të pushtojmë
Nuk jemi barbarë as egoistë,
Por një jetë jemi dhunuar, përdhunuar
E ku ta ve këtë fjalë jo se di…

S’di çfarë t’i them nipit kur më pyet
Pse jemi kaq pak, kaq vend i vogël?
Ç’ti them për gadishullin Ilirjan
Se do më quaj dështak e i dobët.

Tmerrohem kur lexoj e dëgjoj vargje
Të mbushura me lajka e himne pambarim
Për trimëri e beteja t’fitume
E vendi im i tkurrur gati n’finish.

DËSHIRAT KUNDRONIN SHARMIN TËND!

Mbi shpatulla më rëndonin ëndërrat
Që prisnin të t’shikonin rastësishëm,
Jo nën dritën e hënës e yjeve të zjarrta
Por në natën më të errët, nën re,
Se sytë ëndërrues shikojnë përmes saj!

Mbi gjoks shkrifëtinin sikletshëm ëndjet
E dëshirat kundronin sharmin tënd,
Preknin siluetën tënde të përkryer
Puthnin etshëm imazhin e bukur
E unë zhytesha shpirtërishtë në ty!

Share: