Home Gjeo-Ekonomia BE, pikëpyetje mbi propozimin për një fond afatgjatë për Ukrainën

BE, pikëpyetje mbi propozimin për një fond afatgjatë për Ukrainën

Vendet e Bashkimit Evropian kanë shprehur rezerva ndaj një propozimi për miratimin e një fondi afatgjatë prej 21.4 miliardë dollarësh ndihme ushtarake për Ukrainën, ndërsa lufta e saj e ashpër kundër forcave ruse po vazhdon.

Ministrat e mbrojtjes të BE-së u përgatitën të diskutonin të martën në Bruksel planin e propozuar nga shefi i politikës së jashtme, Josep Borrell në korrik. Megjithatë, diplomatët thonë se shumë vende, përfshirë Gjermaninë, kanë shprehur rezerva për dhënien e deri në 5 miliardë dollarëve në vit gjatë katër viteve të ardhshme, si pjesë e angazhimeve më të gjera të vendeve perëndimore për të forcuar mbrojtjen e Ukrainës.

Sipas shërbimit diplomatike të Bashkimit Evropian, Brukseli tashmë i ka dhënë Ukrainës ndihma në armë dhe pajisje me vlerë 26 miliardë dollarë. “Gjermania, me të drejtë, ka shumë pyetje lidhur me këtë. Bëhet fjalë për një shumë të madhe parash”, tha një diplomat i lartë që kërkoi të mbetej anonim. Debati mbi ndihmën ushtarake vjen ndërsa vendet e Bashkimit Evropian po debatojnë për një propozim për t’i dhënë Ukrainës gati 54 miliardë dollarë ndihmë ekonomike. Disa vende të BE-së kanë argumentuar gjithashtu se do ta kenë të vështirë të premtojnë ndihmë të madhe afatgjatë sepse buxhetet e tyre janë tashmë të ndrydhura nga shpenzimet e brendshme.

“Disa vende anëtare përballen me një realitet të vështirë të financave publike”, tha një diplomat i dytë i BE-së.

Bashkimi Evropian po përballet me sfida edhe për të përmbushur objektivin e furnizimit të Kievit me 1 milion predha artilerie dhe raketa deri në mars të vitit të ardhshëm.Hungaria ka bllokuar për shumë muaj një ndihmë prej 500 milionë dollarësh nga Fondi i Paqes i anëtarëve të BE-së për Ukrainën sepse Kievi e kishte vendosur në listën e zezë bankën hungareze OTP.

Që nga heqja e bankës OTP nga lista e zezë, Hungaria ka kërkuar me ngulm garanci se OTP nuk do të futej sërish në listën e bankave të sanksionuara nga Ukraina. Kryeministri i Hungarisë Viktor Orban tha të premten se ai nuk e mbështet avancimin e negociatave për pranimin e Ukrainës në Bashkimin Evropian, duke sinjalizuar se vendi i tij mund të jetë një pengesë për ambiciet e Kievit për t’u anëtarësuar në BE. Anëtarësimi i një vendi në Bashkimin Evropina duhet të miratohet nga paralamentet e të gjitha vendeve anëtare, duke i dhënë kryemnistrit hungarez Orban një veto të fuqishme.

Në një intervistë me radion shtetërore të premten, zoti Orban tha se Ukraina nuk është afër anëtarësimit në bllokun më të madh tregtar në botë. “Pozicioni i qartë hungarez është se negociatat nuk duhet të fillojnë”, tha ai. Qeveria e kryeministrit Orban nuk ka pranuar të furnizojë Ukrainën me armë në luftën e saj kundër Rusisë. Ai gjithashtu akuzon Ukrainën për shkeljen e të drejtave të një pakice etnike hungareze në Ukrainën perëndimore, duke kufizuar përdorimin e gjuhës hungareze në shkolla. /VOA

Share: