Arabia Saudite ka organizuar një samit të jashtëzakonshëm me qëllimin të bëjë bashkë vendet e botës islame për të diskutuar situatën e rëndë në Gaza.
Në fjalën e hapjes, princi saudit i kurorës, Mohammed Bin Salman bëri thirrje për ndërprerje të menjëhershme të operacioneve ushtarake në këtë territor, si edhe për lirimin e të gjithë robërve dhe të burgosurve.
“Ne dënojmë me forcë agresionin ushtarak dhe shënjestrimin e civilëve në Rripin e Gazës, si dhe shkeljet e vazhdueshme të ligjit ndërkombëtar humanitar nga pushtimi izraelit. Po kështu, theksojmë domosdoshmërinë e ndalimit të kësaj lufte dhe shpërnguljeve të detyruara, si dhe krijimit të kushteve për kthimin e stabilitetit dhe paqes”, tha princi i kurorës saudite Mohammed Bin Salman.
Katastrofa humanitare në Gaza, shtoi ai, është prova e dështimit të komunitetit ndërkombëtar dhe Këshillit të Sigurimit të OKB-së për t’i dhënë fund shkeljeve të rënda që Izraeli po i bën ligjeve ndërkombëtare dhe e standardeve të dyfishta të aprovuara nga bota në heshtje. Princi shtoi se mënyra e vetme për vendosjen e paqes do të jetë fundi i pushtimit izraelit dhe vendbanimeve të paligjshme, rikthimi i të drejtave të popullit palestinez dhe krijimi i shtetit të Palestinës me Jerusalemin Lindor si kryeqytet.
Presidenti i Autoritetit Palestinez Mahmoud Abbas theksoi se përveç Gazës, forcat izraelite kanë shtuar bastisjet edhe në Bregun Perëndimor. Ai i bëri thirrje administratës së Shteteve të Bashkuara të ndikojë t`i jepet fund agresionit të Izraelit, pushtimit dhe “përdhosjes së vendeve të tyre të shenjta”.
Top Channel