Nga Armir Shkurti
Duçja ynë vdes për parada! Ka qejf mor maniera, salltanete, ceremoni, pompozitet. Natyrisht, në qendër të tyre vdes të jetë ai vetë, me iluzionin se ka mahnitur dynjanjë me klasin, elegancën dhe stilin unik, gjenial, aristokratik, e ku ta di unë ç’tjetër pjell iluzioni i një personaliteti të lënë tashmë jashtë çdo kontrolli.
Lodra më e fundit e këtij Edi Ramës ishte njëfarë “SAMITI I DIASPORËS” ! Ka një shprehje shqip enkas për këtë: ” Jashtë një kut – brenda një mut”. Diaspora shqiptare shtrihet nga poli në pol, nga lindja në perëndim, te të gjithë kontinentet dhe shtetet e botës, në të gjitha epokat e historisë njerëzore. Vetëm shekullin e fundit, nga Shqipëria mëmë, ajo që ndodhet brenda kufijve shtetërorë të Republikës së Shqipërisë, janë nëpër botë të paktën dy herë më shumë shqiptarë se ç’kanë mbetur këtu. Prej tyre ka shkencëtarë, tregëtarë, artistë, prodhues, bankierë, politikanë e çmos tjetër. Ajka e tyre mund të quhej, po, samit! Që në shqip përkthehet “çukë”, pra maja e malit. Në vend të tyre na doli mbi dhallë “ajka” e asaj që ka mbetur : Edi Rama me trupën e tij të cirkut që nis nga Bajram Bega e teposhtë. Ironikisht, këta që gjoja mbledhin diasporën janë autorët e zbrazjes së vendit dhe rritjes së frikshme të diasporës.
Pak histori:
Në nëntor 2016 u mbajt samiti i parë i diasporës. Kush ka informacion se çfarë produkti dha gjithë ky shpenzim dhe investim, i lutem të ma shkruajë, se nuk gjej kurrkund një dokument bazë apo rezolutë apo diçka të ngjashme e cila mbyll aktivitete serioze dhe u jep atyre vlera institucionale dhe jo ngjyra mbrëmjesh vallëzimi të konvikteve të dikurshme.
Në 2019 -ën u mbajt samiti i dytë i diasporës. Këtë rradhë “masovikut të vatrës së kulturës” i shkrepi ideja ta kthente këtë paradë në një shfaqje të tipit “Miss Globe” apo “Koncertet e Majit”, ku shumicës së pjesmarrësve në cirk u jepen çmime. Erdhën nga ana e anës në Tiranë shqiptarë të kamur dhe u kthyen në shtëpi të lumtur sepse mEDIokri u kishte dhënë nga një copë letër ndër kapakë të kuq që quhej “çmim”.
Erdhi ky samiti i tretë. Siç duket mosha, vitet mbi supe dhe konsumi prej intrigave e pushtetit të tejzgjatur ia kanë firasur fare imagjinatën dhe shteruar fantazinë deri në pikën e asaj që pamë ditën e parë: Dita e arbëreshëve! Dy samite ( domethënë “kulme”) pati ajo ditë samiti: Kulmi parë ishte hipja në skenën e pallatit të kongreseve të nja 7-8 burrave me shiritin e kryetarit të pushtetit vendor në Itali, për të nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me Erion Veliajn. Edhe ky, me shiritin përkatës. U fol për ” ndihmë ekonomike”. Nga kush? Komunat me arbëreshë do të ndihmojnë Tiranën? Apo do ndihmojë ekonomikisht Lal Tirona arbëreshët nëpër Itali? S’po e vazhdoj më gjatë këtë karagjozllëk, se më del libër pastaj.
I dyti kulm i kulmit ( pra i “çukës”, “kreshtës”, “majës” apo “samitit”) ishte edhe dekorimi i braziljanit Silvinjo dhe “shakatë e kripura të Duçes” për shtetësi shqiptare të trajnerit prej Brazili. Ishte çasti për të vjedhur sadopak nga simpatia e publikut dhe lavdia e trajnerit të kombëtares, i cili mbylli me shumë sukses ndeshjet e kombëtares, duke na nxjerrë të parët në grup. Po ç’është kjo dekoratë? “Shqiponja e artë” është një dekoratë nderi e Republikës së Shqipërisë që u jepet qytetarëve shqiptarë dhe të huaj për trimëri në luftën e armatosur dhe për veprimtari ose akte të guximit qytetar në kohë paqeje. Dekorata jepet me dekret nga Presidenti i Shqipërisë.”…. Ka nevojë për koment? ….Jo për gjë, po ky Rama që tallej me Metën president që shpërndante poshtë e përpjetë medalje e dekorata!
….edhe një gjë, meqë një ditë iu kushtua arbëreshëve: pse nuk patëm një ditë për ARVANITASIT, që jetojnë në Greqi? Po për miliona “arnautë” që jetojnë në Turqi?
Vazhdojmë me cirkun
Diku u përmend “bashkimi”. Por ky, me idenë që ne shqiptarët, kudo që ndodhemi në botë, të bëhemi tok. Kush mo? Ky që ishte i vetëm, me trupën personale të kllounve? I pari shembull bashkimi do të kish qenë prania e gjithë forcave politike shqiptare në atë sallë.
Tani dy fjalë për diasporën.
Nga Shqipëria shumica kanë ikur nga halli. Mungesa e lirive, persekutimi, varfëria etj. Vitet e fundit pothuaj të gjithë ikin nga mungesa e shpresës se ky vend mund të bëhet. Regjimi komunist investoi fort për përçarjen e shqiptarëve nëpër botë. Ndërsa qeveritë që erdhën pas as e rruajtën fare për ta. Përveç Ramës! Ky po interesohet shumë për lekët e emigrantëve. Ndërsa ministri i Ramës për çështjet e opozitës, Lul Basha, interesohet shumë për votat e tyre. Kaq! Si rrojnë, a u garantohen të drejtat, a organizohen ….🤣🤣🤣 kjo është super gallatë.
Ama edhe jashtëzakonisht e hidhur! Nuk mbaj mend një deklaratë të shtetit shqiptar ( palé angazhim konkret) për shqiptarët e diasporës. Një Fredi Bejleri ka ngritur në këmbë shtetin grek e deri institucionet e BE. Ne kemi mbi 800 mijë shqiptarë të freskët në Greqi e kush e di sesa arvanitas të lashtë, për të cilët s’ka pjerdhur e nuk pjerdh asnjë pushtet.
Lexova një titull në ATSH: “Rama: Asnjë vend tjetër në botë nuk i detyrohet diasporës se sa i detyrohet Shqipëria”. Ka gjasa që Rama të ketë qenë duke pikturuar nën urat e Senës asokohe e nuk e di që në vitet ’90 diaspora kroate u organizua dhe financoi luftën në mbrojtje të vendit. Po ashtu, diaspora e shqiptarëve të Kosovës mbajti me para dhe djem luftën në mbrojtje të vendit. Thjesht për ta ditur se, vetëm këtu afër janë të paktën dy shtete që i detyrohen diasporës më shumë se ne. Kur them “ne”, kuptoj “popull”. Sepse, si politikë, borxh më të madh se i ke ti, i pari, Edi Rama, e bashkë me ty gjithë establishmentin shqiptar, nuk i ka askush diasporës së tij!
Së fundi: Ç’prodhoi ( përtej cirkut dhe propagandës ) ky samit?
Si një aktivitet masovik i tipit vatër kulture e kooperativës, nuk mund të prodhonte gjë. Tema shterpa të tipit “programe të RTSH”, “bashkëpunim ekonomik”, “bashkëpunim shkencor” e sidomos “të mësuarit shqip” janë pemë pa kokrra. Asgjë që mund të ndikojë në fuqizimin dhe mbështetjen e diasporës prej mëmëdheut dhe anasjelltas. Pra, mbështetjen e lobimeve shqiptare, të fuqizuara prej politikës së këtushme, në të mirë të vendit dhe kombit.
P.S: Mos humbisni Duçen në paradën e së martës! Sipas m-EDI-okrit, ideja për një paradë më 28 nëntor na paskësh ardhur prej një grupi të rinjsh nga diaspora!!! Po funksionon! Për kokë të Edit, po funksionon samiti dhe diaspora!!!
🤣🤣🤣🤣🤣