“Shumë më shpesh sesa mendojmë, fjalët përdoren si armë për të lënduar dhe për të ushtruar kontroll mbi një njeri tjetër.” Mattia Furia
Nga Lis Bunuroca
E përktheva vështrim e mëposhtëm nga italishtja. Dhuna që shkaktohet me fjalë është përshkruar shkurt dhe shumë bukur. Dhuna verbale shqip është dhunë foljore, ose dhunë e shprehur me fjalë.
Një njeri shkruan, kritikon, qorton dhe shan dikë me: rrugaç, idiot, tru-shpëlarë, maskara, tradhtar, kazan, agjent, spiun, derr, i palexuar, etj., dhe është i bindur se po vepron drejtë.
Shumë shpesh, tepër shpesh e luftojnë një qëndrim të padrejtë me një padrejtësi edhe më të madhe. Dhe, sjellës së vet i falin licencën morale, por tek tjetri, ia mohojnë atë. Ata një sharje e luftojnë me një sharje më të madhe, një kërcënim me një kërcënim më të madh e kështu me radhë. E bëjnë shpesh edhe të ashtuquajturit, apo të vetëquajturit intelektualë, që duhet të shërbejnë si shëmbëlltyra në shoqëri. Dhunën verbale tek ne e ushtrojnë më së shumti dhe më së shpeshti politikanët, pasojnë analistët dhe arsimtarët. Madje edhe klerikët.
Pse e përdorim dhunën verbale? Sepse në kushte të tilla jemi rritur dhe edukuar. Çdo sharje tregon sesi na kanë sharë neve në fëmijëri. Çdo piskamë tregon sesi na kanë zvogëluar dhe poshtëruar neve në shtëpi e shkollë. Çdo kërcënim që bëjmë tregon sesi na kanë trajtuar neve. Çdo sharja dëshmon se si na kanë zhbërë neve dinjitetin kur ishim më pak të fuqishëm. Sharja dhe përbuzja mësohen në shtëpi, në shkollë, në Kuvend, në televizor dhe nëpër intervista. Gati kudo e bëjnë njerëzit që e quajnë veten intelektualë! E mira dhe e liga mësohen në shtëpi, pastaj edhe në shkollë dhe shoqëri.
Ne me ato epitete, sharje, nuk e përkufizojmë tjetrin, por tregojmë vetëm sesi ndihemi në atë çast. Arsyeja? Një njeri që nuk ka parë kurrë derra, që nuk i njeh ata, që nuk është sharë vetë ashtu, nuk di të shajë me atë fjalë ose e bën tepër rrallë. Nuk mund t’i gjejë kuptimin, asociacionin dhe peshën rrënuese, sepse atë degradim nuk e ka përjetuar vetë. Ofenduesi tregon se në fëmijëri është abuzuar nga prindërit ose nga rrethi. Ai përdor atë sharje, sepse atij i dhemb më së shumti kur ajo shprehet kundër tij.
Ja fjalori i dhunës verbale që përdor Edi Ramës: “Kazan, derra, zuzarë, Kadrinj, hipokritë, parazitë, gënjeshtarë, dembel, armiq, të palexuar, qen, idiotë, kokëbosh të pirë, injorant, të paditur” etj.
[1]
“Dhe kështu rrinë gojëkyçur para një populisti të ndyrë që ka marrë urën e zjarrit dhe ndarjes në dorë në emër të “bashkimit”.
[2] Baton haxhiu
Menduh Thaçi: “Tani kemi një situatë ku një kryekriminel, bandit, rrugaç i ligës parë është kryetari i Bashkësisë Fetare Islame…” Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare.
[3]
Në internet gjendet shumë dhunë verbale e shprehur nëpër video apo gazeta, gati nga të gjithë politikanët, gati nga të gjithë analistët e gazetarët dhe gati nga të gjithë poetët e shkrimtarët. Ju kujtohet akademiku Kujtim Shala dhe sharja e tij ndaj Kurtit: “Phuu të qifsha tradhtarin e nanës…”?
[4]
Nuk po citohen edhe të të tjerët sepse janë shumë, tepër shumë, por kampion duhet të jenë Edi Rama dhe Sali Berisha. Njëri i pari, tjetri i dyti. Këta që u cituan, u sollën vetëm për ilustrim, por nuk janë të vetmit. Ata janë vetëm maja e ajsbergut, që u zbuluan pas disa klikimeve.
Ky përkthim nga italishtja nuk ka ndërmend të përul ata më lartë, por vetëm të vejë gishtin në një çrregullim shoqëror; për të nënvizuar një anomali që gati po konsiderohet normale. Ajo dhunë verbale publike po shkatërron edukatën e fëmijëve. Ajo jo vetëm se po konsiderohet normale, por edhe shumë prej tyre po krenohen me sjelljet asociale: madje as nuk skuqen, as nuk pendohen, as nuk kërkojnë ndjesë! Intelektualë!
Këtu e më poshtë fjalën e ka Mattia Furia, specialist i psikoterapisë kognitive:
Dhuna verbale: si të kuptohet dhe si të dilet prej saj
Cilat janë shenjat e abuzimit [5] dhe pasojat e asaj dhune në jetën tonë
Dhuna nuk është gjithmonë fizike. Shumë më shpesh sesa mendojmë, fjalët përdoren si armë për të lënduar dhe për të ushtruar kontroll mbi një njeri tjetër. Dhuna verbale është një lloj abuzimi emocional që bazohet në fjalë, qoftë të thëna, qoftë të shkruara, dhe mund të përfshijë edhe gjestet apo mimikën. Këto sulme jo-fizike mund të shkaktojnë shqetësime të mëdha emocionale, prandaj është e rëndësishme të njihen shenjat tipike të këtij abuzimi.
Shenjat e dhunës verbale
Nuk është e lehtë të dallohen ato. Shumë sjellje verbale të dhunshme, të tilla si të bërtiturit ose ngacmimi i një personi me epitete fyese, përbuzëse, historikisht janë nënvlerësuar dhe janë bërë normale. Kur një viktimë e dhunës verbale flet për vuajtjet, shpesh i thuhet se po e tepron. Nëse marrëdhënia jonë me dikë në jetën tonë na bën të ndihemi me ankth ose jo mirë, veçanërisht për shkak të fjalëve që përdor kundër nesh, e mundur se po përjetojmë abuzim verbal. Le t’i zbulojmë se cilat janë ato.
Fyerjet
Fyerja ose përdorimi i tepërt i epiteteve fyese janë shembuj të dhunës verbale. (Pis, gomar, derr, kurvë, idiot, lavire, shtrigë etj. nënvizimi i përkthyesit). Nëse i kemi kërkuar dikujt të mos na quajë me një fjalë të caktuar dhe jemi shpërfillur, atëherë ai njeri po ushtron dhunë ndaj nesh, pavarësisht se çfarë fjale përdor.
Të kritikuarit dhe të gjykuarit
Kritika mund të jetë konstruktive, por gjithashtu mund të dëmtojë vetëvlerësimin tonë. Nëse një person na gjykon dhe na kritikon pandërprerë, ai po përdor dhunë ndaj nesh. Nuk kemi pse ta përligjim edhe nëse na thotë se e bën për të mirën tonë, se donte të ishte i sinqertë apo se thjesht kishte bërë shaka. (Ndoshta ju kujtohet një epokë kur dhuna fizike që ushtrohej, thuhej se po bëhej për të mirën viktimës, pra, ata mendonin se po ndreqnin diçka duke e duke e dëmtuar L.B)
Poshtërimi
Është shumë normale për ata që ushtrojnë dhunë verbale të përdorin gjuhë degraduese dhe poshtëruese për të goditur vetëvlerësimin e viktimës. Qëllimi i tyre është të na bëjnë të varur prej tyre: sa më shumë që arrijnë të na bëjnë të ndihemi të padobishëm ose të turpërohemi nga vetvetja, aq më shumë ndiejmë se kemi nevojë për ta. Poshtërimi i dikujt përfshin
qortimin për një gabim para njerëzve tjerë, duke e bërë të ndihet keq kur është i vet, ose përhapja e thashethemeve për të dëmtuar qëllimisht imazhin e tij.
Kërcënimi
Një kërcënim nuk nënkupton domosdoshmërisht një veprim fizik; fjalët mund të jenë më se të mjaftueshme për të na e futur frikën nga pasojat, fizike apo të tjera. Shefi që kërcënon se do të na pushojë nga puna, partneri/ja që kërcënon se do të na lërë, ose na turpëron para miqve tanë, janë të gjitha shembuj të abuzimit verbal. Kërcënimet mund të përdoren edhe për të na manipuluar që të veprojmë në një mënyrë të caktuar.
Bërtitja
Pothuajse të gjithë prindërit u kanë bërtitur fëmijëve të tyre në një çast të jetës së tyre. Megjithëse qortimi është i zakonshëm, nëse është i tepruar ose ndodh rregullisht, mund të përbëjë një formë dhune. Përveçse janë një formë shantazhi [6], ulërimat dhe bërtitja kontribuojnë në krijimin e një mjedisi kaotik që shkakton një gjendje të përhershme ankthi.
Gaslighting [7]
Një njeri i dhunshëm gjithashtu mund të mistifikojë ose të gënjejë për disa ngjarje të së kaluarës për të na detyruar të vejmë në dyshim kujtesën tonë. Kjo është ajo që quhet “Gaslighting”. Me kalimin e kohës, kjo mund të na bëjë të dyshojmë në gjykimin tonë apo madje edhe të na bëjë të ndihemi të çmendur. Nëse dikush që njohim vazhdon të na thotë fraza si “po gënjen”, “ke keqkuptuar”, “nuk të kujtohet mirë”, ka të ngjarë të jemi viktima të “gaslighting.”
Manipulimi
Dhuna verbale mund të përfshijë gjithashtu manipulimin, ose përdorimin e gjuhës që na shtyn të bëjmë gjëra që na bëjnë të ndihemi keq. Të ndikohet dikush që të ndihet fajtor është një formë manipulimi, siç është taktika e heshtjes. Manipuluesi madje mund të shkojë aq larg, sa të na fajësojë për gabimet e veta.
Dhuna verbale: ku ndodh?
Çdo marrëdhënie, qoftë familjare, profesionale apo romantike, mund të jetë konteksti i dhunës verbale. Le ta shohim në detaje.
Në çift
Çdo lloj abuzimi, madje edhe abuzimi narcisist, mund të ndodhë brenda një çifti dhe dhuna verbale nuk bën përjashtim. Një partner/e i dhunshëm është shpesh magjepsës dhe i përzemërt në fillim të marrëdhënies; agresivitetin e tij fillon ta shfaqë me ofendime, kërcënime dhe piskama më vonë, me vazhdimin e lidhjes së tyre. Nëse vazhdimisht ndihemi sikur duhet të ecim mbi vezë në prani të partnerit tonë, ndoshta nuk do të luftojmë të njohim shenjat e dhunës verbale brenda marrëdhënies sonë.
Ne vendin e punës
Sipas disa studimeve, rreth 1 në 5 veta kanë përjetuar dhunë verbale në vendin e punës. Ai përfshin ngacmimin “bullismin”, kritika të ashpra për punën, ngacmimet, poshtërimin publik. Ky abuzim mendor mund të ushtrohet si nga eprorët ashtu edhe nga kolegët.
Në familje
Ashtu si dhuna verbale mund të jetë një mjet kontrolli brenda një çifti, ashtu mund të jetë edhe në një familje. Prindërit që përdorin dhunë verbale bërtasin, nënshtrojnë, ose manipulojnë fëmijët e tyre që të sillen në një mënyrë të caktuar. Sipas disa studimeve, deri në 63% e fëmijëve kanë pësuar dhunë verbale në shtëpi. Duke qenë një abuzim emocional dhe psikologjik, ai mund të rrisë ndjeshëm rrezikun e zhvillimit të çrregullimeve mendore gjatë adoleshencës. Dhuna verbale nuk është ekskluzive për prindërit; gjyshërit, vëllezërit e motrat ose anëtarët e tjerë të familjes mund ta praktikojnë gjithashtu. Këto sjellje zakonisht fillojnë kur viktima është fëmijë dhe mund të vazhdojnë deri në moshën madhore.
Mes shokëve
Disa miqësi mund të jenë stresuese, të lëndojnë ose të na konsumojnë. Një shok që përdor dhunë verbale ndaj nesh përpiqet të na komandojë ose të na izolojë nga të tjerët. Ai madje mund të pretendojë se është i vetmi person që është i sinqertë me ne ose që është në gjendje të na durojë.
Cilat janë efektet e dhunës verbale?
Njohja e shenjave të abuzimit është e rëndësishme, por është e rëndësishme edhe të kuptuarit e ndikimit që ai ka në jetën tonë. Efektet afatshkurtra dhe afatgjata të dhunës verbale përfshijnë:
Vetëvlerësimin e ulët
Fyerjet, poshtërimi dhe forma të tjera të abuzimit verbal mund të shkatërrojnë vetëvlerësimin tonë. Ai që është viktimë i këtij lloj abuzimi shpesh ndihet i padobishëm, i pavlerë ose ndihet sikur nuk mund të bëjë asgjë kundër dhunuesit të vet.
Ankthi
Abuzimi verbal shpesh krijon huti dhe është i vështirë për t’u parashikuar. Viktimat mund të ndihen të frikësuar ose në ankth sepse edhe njerëzit e tjerë, përveç dhunuesit të tyre, mund t’i lëndojnë në të njëjtën mënyrë.
Depresioni
Disa studime kanë dëshmuar se dhuna verbale është një faktor i rëndësishëm, që shkakton depresionin. Shumë viktima ndihen të trishtuara, të pafuqishme dhe luftojnë kundër një ndjenje zbrazëtie në vazhdim të atij lloji të abuzimit emocional.
Izolim social
Zakonisht ata që përdorin dhunë verbale i izolojnë viktimat, duke i larguar nga ata që mund t’u ofrojnë ndihmë dhe mbështetje. Edhe pas daljes nga një marrëdhënie abuzive, viktimës mund t’i mungojë forca për të ndërtuar një marrëdhënie të shëndetshme dhe mund të vazhdojë të ndihet e vetmuar dhe e refuzuar.
Pafuqia fizike
Abuzimi verbal mund të ketë një ndikim negativ edhe në shëndetin e trupit tonë. Stresi kronik që ata sjellin mund të shkaktojë pagjumësi, therje dhe lloje të ndryshme dhembjesh, dhimbje koke dhe çrregullime të tjera psikosomatike.
Çfarë duhet të bëjmë nëse jemi viktima të dhunës verbale?
Gjëja e parë që duhet bërë kur merret vendimi në udhëtimin vetjak të shërimit nga abuzimi emocional është parandalimi i përsëritjes së dhunës. Nëse kemi kuptuar shenjat e abuzimit në jetën tonë, të përpiqemi për t’u vendosur kufirin. Duhet t’ia bëjmë të qartë dhunuesit, agresorit, se mënyra se si na trajton është e papranueshme dhe se nuk do ta durojmë më.
Nëse është e mundur, të përpiqemi të kalojmë sa më pak kohë së bashku ose ta largojmë atë nga jeta jonë. E lehtë të thuhet, por shpesh mund të jetë shumë e vështirë për t’u bërë. Nëse ndihemi të paaftë për të vendosur kufij vetë, duhet të kërkojmë ndihmë nga një profesionist i shëndetit mendor. Një psikolog mund të na ndihmojë të përpunojmë traumën që kemi pësuar.
Edhe pse abuzimi emocional mund të shkaktojë dëme serioze që mund të zgjasin, terapia mund të na ndihmojë të rindërtojmë vetëvlerësimin tonë dhe të rifitojmë kontrollin e jetës sonë.
[1] https://sot.com.al/aktualitet/derra-zuzare-kazan-kadrinj-edi-rama-kopje-e-shemtuar-e-sali-berishes–i579647
[2] https://albanianpost.com/kompleksimi-i-opozites-kosovare-nga-nje-populist/
[3] https://www.infoshqip.com/menduh-thaci-ju-kerkoj-falje-pse-e-vendosa-kriminelin-sulejman-rexhepi-ne-krye-te-bfi-se/
[5] ABUZIM m. 1. shih SHPËRDORIM,~I. Zbuloj (dënoj) abuzimet. Bënin abuzime. 2. Përdorimi jashtë mase i pijeve a i barnave, teprim në të ngrënë etj. Bën abuzim.
[6] Shantazh: Shtrëngim që i bëhet dikujt për të plotësuar një kërkesë të papranueshme prej tij, duke e kërcënuar se do të zbulohet një e fshehtë që e dëmton, se do të rrezikohet ai vetë a një i afërm i tij etj.; frikësim që i bëhet dikujt për ta mposhtur, për ta përkulur dhe për ta detyruar të veprojë në dobi të një tjetri;
[7] Gaslighting: “ndriçimi i gazit”, ose manipulimi psikologjik malinj, është një formë e manipulimit psikologjik të dhunshëm dhe delikate në të cilën viktimës i paraqitet informacion i rremë me qëllimin për ta bërë atë të dyshojë në kujtesën dhe perceptimin e tij. Kështu viktima nuk mund më të dallojë në mes të vërtetës dhe iluzionit, përfytyrimit të shtrembëruar. Mund të jetë gjithashtu thjesht mohimi i autorit se incidentet kanë ndodhur ndonjëherë, ose mund të jetë inskenim i ngjarjeve të çuditshme me qëllimin për të çorientuar viktimën. “Gaslighting” është një fjalë që përdoret në gjuhën e folur, por termi është përdorur edhe në literaturën klinike…