Presidenti amerikan Joe Biden ka dërguar një nga zyrtarët e tij më të besuar dhe me ndikim në Lindjen e Mesme me shpresën për ta kthyer një armëpushim të brishtë midis Izraelit dhe Hamasit në një marrëveshje më të qëndrueshme.
Një zyrtar amerikan konfirmoi për Zërin e Amerikës se drejtori i CIA-s, William Burns, udhëtoi drejt Katarit të martën për bisedime të nivelit të lartë, “duke përfshirë diskutimet për pengjet”. CIA, e cila rrallëherë flet për udhëtimin jashtë vendit të drejtorit të saj, nuk pranoi të bënte komente për udhëtimin, i cili fillimisht u njoftua nga gazeta The Washington Post. Media izraelite, si dhe media të tjera, cituan burime diplomatike të thoshin se në Doha, zoti Burns është takuar me kreun e agjencisë izraelite të zbulimit, Mossad, si dhe me zyrtarë të Katarit dhe Egjiptit. Zyrtarët e lartë amerikanë e kanë mbështetur Izraelin me fjalë dhe me armë pas sulmit terrorist të Hamasit më 7 tetor, në të cilin u vranë rreth 1200 njerëz në Izrael, shumica civilë.
Por Shtëpia e Bardhë ka kërkuar gjithashtu lirimin e rreth 240 personave të marrë peng nga Hamasi gjatë sulmit, duke përshëndetur armëpushimin tashmë pesë-ditor, gjatë të cilit janë liruar 70 pengje në këmbim të lirimit të 150 palestinezëve nga burgjet izraelite. “Objektivi i administratës për momentin është zgjatja e armëpushimit sa më shumë që të jetë e mundur dhe lirimi i sa më shumë pengjeve”, thotë Paul Pillar, një ish-oficer i lartë i CIA-s që tani jep mësim në Universitetin Georgetown. Zoti Pillar i tha Zërit të Amerikës se William Burns, një ish-diplomat i kthyer në shef të agjencisë amerikane të spiunazhit, është në pozitë të mirë për të ndihmuar në arritjen e këtij qëllimi. “Ai është një diplomat me përvojë dhe shumë i respektuar, brenda dhe jashtë vendit”, tha zoti Pillar, duke shtuar se zoti Burns është “ndoshta vetëm një hap larg asaj që ka qenë linja kryesore e politikës së administratës Biden që nga sulmi i 7 tetorit, mbështetja e plotë për Izraelin.”
Ky është udhëtimi i dytë brenda një muaji i zotit Burns në Lindjen e Mesme. Në udhëtimin e parë në fillim të nëntorit, ai vizitoi shumë vende, në të cilat zhvilloi bisedime me homologët e tij të zbulimit, që ishin të përqendruara në fillimin e negociatave për lirimin e pengjeve dhe parandalimin e përhapjes së konfliktit Izrael-Hamas në rajon, tha për Zërin e Amerikës një zyrtar amerikan. Por, ndonëse përpjekjet për të zgjatur armëpushimin dhe për të liruar më shumë pengje mund të dominojnë këtë raund bisedimesh, disa ish-zyrtarë mendojnë se drejtori i CIA-s do të diskutojë edhe për hapat që duhet ndërmarrë pas mbarimit të luftës.
“Pra do të flitet për të ardhmen, mbi atë se si do të duket Rripi i Gazës pas përfundimit të konfliktit”, tha Marc Polymeropoulos, një ish-oficer i lartë i operacioneve të CIA-s, i cili ka punuar gjerësisht në Lindjen e Mesme. “Çfarë force ndërkombëtare do të duhet të jetë e pranishme? Si do të rindërohet Rripi i Gazës, në mënyrë kolektive me pjesëmarrjen e komunitetit ndërkombëtar?”. Mund të ketë diskutime midis Shteteve të Bashkuara, Izraelit, Egjiptit dhe vendeve të tjera edhe për atë që do të ndodh më pas me Hamasin, që Shtetet e Bashkuara e kanë shpallur organizatë terroriste.
“Hamasi ka fituar legjitimitet të jashtëzakonshëm mes popullit palestinez në Rripin e Gazls dhe në Bregun Perëndimor për sigurimin e lirimit të një numri të burgosurish palestinezë”, tha zoti Polymeropoulos për Zërin e Amerikës. “Ata aktualisht po trajtohen pothuajse si aktor shtetëror. Dhe mendoj se kjo është diçka shqetësuese, jo vetëm për Izraelin, por edhe për Shtetet e Bashkuara”, shtoi ai./VOA