Kryetari i Bashkisë së Fushë-Arrëzit, Hil Curri, i koalicionit “Bashkë Fitojmë”, i ka dërguar një letër në datën 7 nëntor, kryeministrit Edi Rama, ambasadorit të BE-së në Shqipëri dhe përfaqësuesit të zyrës së emigrantëve të Kombeve të Bashkuara për të ofruar vullnetarisht ndihmë në pritjen e emigrantëve që do të vijnë nga Italia.
Duke marrë shkas nga marrëveshja e nënshkruar së fundmi në Itali nga kryeministri Rama, për ngritjen e kampeve të refugjatëve nga Lindja e Mesme dhe Afrika në Lezhë, kryetari i Fushë Arrëzit shpreh gatishmërinë për të bashkëndarë përgjegjësinë humanitare, siç shprehet ai. Në letër, z.Curri shprehet se komuna që drejton, dëshiron të tregojë vlerat e lashta të mikpritjes shqiptare duke i ofruar emigrantëve gjithçka që u nevojitet.
“Unë ndiej një krenari të veçantë për natyrën e ngrohtë dhe mikpritëse të popullit tonë, e cila ka qenë një karakteristikë e kulturës shqiptare për breza të tërë. Është një pjesë e identitetit tonë që unë konsideroj të shtrenjtë dhe do të isha i nderuar të zgjeroj këtë traditë Për emigrantët në nevojë. Unë jam i gatshëm të punoj ngushtë me autoritetet përkatëse Për të siguruar mirëqenien dhe integrimin e emigrantëve të vendosur nën kujdesin tonë”.
Bashkia e Fushë Arrëzit është në gatishmëri sipas kryetarit edhe për t’i ofruar këtyre emigrantëve të gjitha kushtet për të ndërtuar jetën e tyre në siguri të plotë, ndërsa kërkon përfshirjen në dialogun që po bëhet për vendet e strehimit të tyre.