Një gjykatëse në Kolorado i lejoi ish-Presidentit Donald Trump të vazhdojë kandidimin në zgjedhje në këtë shtet vitin e ardhshëm, duke refuzuar kështu një kërkesë për ta skualifikuar atë për shkak të veprimeve përpara 6 janarit 2021, kur Kapitoli u sulmua nga mbështetësit e tij.
Vendimi i dhënë nga Gjykatësja Sarah Wallace, që me siguri do të apelohet, është një fitore për zotin Trump, i cili po përballet me një seri sfidash kundër kandidimit të tij, bazuar tek një nen i Kushtetutës amerikane që ndalon marrjen e posteve federale nga persona që janë angazhuar në kryengritje apo rebelim.
Çështja në Kolorado ishte çelur nga një grup votuesish të ndihmuar nga organizata me seli në Uashington, “Qytetarët për përgjegjshmëri dhe etikë”. Kjo ishte padia e parë për të cilën merret vendim në gjyq dhe shërben si një test përpara se të shqyrtohen padi të tjera të ngjashme.
Avokatët e votuesve paditës u shprehën se ish-Presidenti Trump u angazhua në rebelim duke përhapur pretendime false për manipulim të gjerë zgjedhor, pas humbjes së tij në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020, si dhe duke thirrur mbështetësit në një tubim në Uashington dhe duke u bërë thirrje të marshonin drejt Kapitolit, ku Kongresi ishte mbledhur për të çertifikuar rezultatin e zgjedhjeve.
Mijëra mbështetës të zotit Trump hynë me forcë më pas në Kapitol, sulmuan policinë dhe detyruan ligjvënësit të largoheshin për të shpëtuar. Përpjekja për të ndalur çertifikimin e zgjedhjeve dështoi.
Avokatët e ish-Presidentit Trump thanë se ai nuk pati lidhje me grupet e së djathtës ekstreme që luajtën një rol kryesor në sulm dhe se deklaratat e tij përpara trazirave mbrohen nga e drejta e lirisë së shprehjes.
Vendimi i dhënë vlen vetëm për zgjedhjet paraprake brenda Partisë Republikane dhe zgjedhjet e përgjithshme në Kolorado. Sipas studiuesve të politikës, ky shtet konsiderohet se voton në favor të demokratëve në zgjedhjet e përgjithshme.
Ky vendim është zmbrapsja më e fundit ndaj përpjekjeve për të skualifikuar zotin Trump nga kandidimi. Gjykatat në Minesota dhe Miçigan patën refuzuar heqjen e tij nga kandidimi në zgjedhjet paraprake brenda Partisë Republikane, por nuk patën dhënë vendim nëse mund të kandidonte në zgjedhjet e përgjithshme të vitit të ardhshëm.
Vendimi i gjykatëses në Kolorado mund të apelohet në gjykatën e lartë të këtij shteti dhe në vazhdim në Gjykatën e Lartë të Shteteve të Bashkuara, ku shumica e gjykatësve janë konservatorë, 6 me 3, ndër ta tre të emëruar nga ish-Presidenti Trump./VOA