Home Gjeo-Ekonomia KLSH zbulon një skemë 20 mln euro në sektorin e ndërtimit, shisnin...

KLSH zbulon një skemë 20 mln euro në sektorin e ndërtimit, shisnin më poshtë se çmimet referencë

Sektori i ndërtimit ka udhëhequr rritjen ekonomike vitet e fundit, por kontributi i tij në punësim dhe të ardhura buxhetore nuk kanë të njëjtat proporcione.

Në një audit të fundit në Drejtorinë e Tatimpaguesve të Mëdhenj për vitin 2022 nga Kontrolli i Lartë i Shtetit gjeti një skemë të evazionit në sektorin e ndërtimit, me vlerë mbi 2 miliardë lekë, rreth 20 milionë euro. Kjo shumë është evidentuar nga kontrollet e raportimeve vetëm në pak kompani ndërtimi dhe jo në të gjithë sektorin.

Skema kishte në themel deklarime dhe fatura që zhvillonin transaksione të shitjeve poshtë çmimeve referencë të miratuara me vendime të qeverisë, pikërisht për qëllim tatimore.

KLSH vëren se si rezultat i veprimeve të kryera në kundërshtim me ligjin për procedurat tatimore, për tatimin mbi të ardhurat, për tatimin mbi vlerën e shtuar janë konstatuar efekte negative në grumbullimin e të ardhurave buxhetore të shumës prej 2,024,711 mijë lekë, konkretisht si pasojë e faturimeve të situacioneve të punimeve ndërtimore poshtë nivelit të përcaktuar në Entit Kombëtar të Banesave.

Ky detyrim është krijuar, si pasojë e mangësive në inventar, shitjeve pa faturë tatimore, kreditim i gabuar i TVSH-së së karburantit, zbatimit të gabuar të koeficientit të rregullimit të TVSH-së, shitjeve të objekteve ndërtimore poshtë çmimit të referencës të përcaktuar.

Gjithashtu në raportet e kontrollit në vend kanë rezultuar pasaktësi në transaksionet me ortakun të kryera në kundërshtim me parimet dhe kushtet e tregut duke mos aplikuar norma interesi, dhe me mos njohjen si të ardhur të parapagimeve për shitjet e njësive të banimit, të cilat janë të pajisura me certifikatë shfrytëzimi, po pa kalim titulli të pronësisë.

Legjislacioni aktual në fushën e ndërtimit e ka të qartë detyrimin për respektimin e kostos minimale fiskale, çmimit minimal fiskal dhe fitimit minimal fiskal sipas përcaktimeve të bëra në nenin 20 “Punimet e ndërtimit, kryerja e procesit të ndërtimit, si dhe të mirëmbajtjes”.

Sakaq udhëzimi i ministrit të Financave i vitit 2015 “Për tatimin mbi vlerën e shtuar” është detyruese për kryerjen e vlerësimeve alternative, për të cilën nga DPT është mbajtur qëndrim jo ligjor dhe në tejkalim të kompetencave dhe detyrave funksionale, vëren KLSH-ja

Kontrolli i Lartë i Shtetit kërkoi nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve të merren masa të menjëhershme për përcaktimin e efekteve të vlerësimeve alternative të munguara me pasojë ne të ardhurat tatimore ne , si dhe në vijimësi, të ndjekë zbatimin e përcaktimeve ligjore në lidhje me respektimin e kostos minimale fiskale, çmimit minimal fiskal dhe fitimit minimal fiskal në sektorin e ndërtimit./ Monitor.Al

Share: