Nga Albert Vataj
“Luleborë” nuk është vetëm kënga ikonike e muzikës shkodrane, kënga himn që këndohet në çdo tubim artistik, gazmim familjar e aheng miqsh, “Luleborë” është edhe pagëzimi i Festivalit të Këngës, i cili sivjet solli në një kushtrim vlerash artistike, edicionin e 8-të. “Luleborë” është festivali i dytë shtetëror dhe konceptohet si një festë e muzikës, që organizohet nga Bashkia Shkodër dhe institucionet artistike të qytetit.
Me drejtor artistik, një nga personalitetet e muzikës shkodrane dhe asaj shqiptare, Markelian Kapedani, mbi të cilin padyshim rëndoi pesha e përgjegjësisë së këtij eventi kaq të rëndësishëm, “Luleborë” përmbushi pritshmëritë me pjesëmarrjen gjithëkombëtare të saj dhe prurjet me një nivel të lart artistik dhe mesazh për dashurinë, paqen dhe mallin.
Për drejtorin artistik, Markelian Kapedani, në këtë sprovë “Asht ngrit aja steka e pretendimeve tona muzikore”. Për mjeshtrin synimi i këtij festivali është ta bëjmë “Luleborë” kartvizitën e qytetit tonë, qytetit të kulturës, Shkodrës së etërve të muzikës dhe këngës.
Për dy net radhazi, më 10 dhe 11 nëntor salla e teatrit “Migjeni”, u shndërrua në epiqendrën e një prej ngjarjeve artistike kulmore shqiptare. Publiku shkodran dhe jo vetëm, e përcolli me interesim dhe emocion këtë spektakël krijimi të vlerave përfaqësuese, ku 18 këngë, krijime dhe virtuozitete interpretuese, ishin yje në qiellin e mramjes shkodrane.
Nën një atmosferë festive të këngës, duartrokitjesh dhe emocionesh të natës finale, do të ishte Bashkim Alibali, ai që do t’i dorëzonte trofeun e këtij festivali këngëtarit, Gjergj Kaçinari, me këngën “Shko dallëndyshe”, poezi nga liriku dhe veprimtari i Rilindjes Kombëtare, Filip Shiroka dhe kompozim të Alfred Kaçinarit. Çmimin “Simon Gjonit”, në nderim të kompozitorit të këngës “Lulebore” që ka pagëzuar festivalin, e morën këngëtarët e rinj, Ea Zogaj dhe Aseld Muca, të cilët me këngën dhe interpretimin e tyre, nuk sollën në këtë festival vetëm mesazhin e paqes, por shpresë dhe besim, së vlerat krijuese po pasohet nga brezi në brez si një testament.
Siç paraprakisht ishte bërë prezent në media në edicionin e 8-të të Festivalit të Këngës, “Luleborë”, këngët e përzgjedhura për t’u ndeshur në këtë ballafaqim të festës së këngës ishin: “Në ditën e dasmës“,“Me ty“,“M’don“,“Si mundem“,“Shiu i kujtesës“,“Nostalgjik“,“Në klubin tonë“,“Gjithë diellin ta fal“,“Ndjenja e dëshpërimit“,“Dallëndyshe eja“,“Rapsodi e vëndit tim“,“Zgjuar“,“N’dashni“,“Të ndjej“,“Gjithë jetën dashuri kërkojmë“,“Ti vetëm ti“,“Nesër“,“Qyteti i fshehtë“.
Mbyllja e siparit të këtij festivali bëhet dëshmi i një klime dinamike zhvillimesh artistike në qytetin e Shkodrës. Teatri “Migjeni” është tashmë tempulli ku bashkon shqiptarët nga gjitha viset, sofra ku shtrohet festat e mëdha të vlerave krijuese, shtëpia me zemër të bardh e begatim shpirteror.
Festivali i Këngës, “Luleborë” i kthyer tashmë në traditë, ka qenë, është dhe do të jetë një mundësi e artë e promovimit të krijimeve artistike, prezantimit të virtuoziteteve interpretuese dhe vullnetit të mirë të institucioneve për të bashkëpunuar në shërbim të një kauze që përfaqëson Shkodrën dhe aspiratat e saj për ta merituar statusin “Djepi i kulturës”.
Albert Vataj