Prej një viti, Roberto Bonazzi, një ekspert italian i marketingut dhe shitjeve, ka mbërritur në Durrës ku ka hapur aktivitetin dhe ofron shërbime për bizneset vendase e të huaja.
Nuk është i vetmi që e sheh Shqipërinë si një vend me mundësi shumë të mira për të ofruar ekspertizë dhe për të çuar përpara biznesin e vet.
“Punoj prej afro 40 vitesh në sektorin e trajnimeve, i specializuar në marketing dhe shitje. Klientët e mi janë ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Vendosa të vij në Shqipëri se më pëlqen vendi, njerëzit dhe këtu bizneset kanë nevojë për atë që ofroj unë, ide dhe strategji të reja për zhvillimin e bizneseve. Këtu kam pak konkurrencë“, u shpreh Roberto Bonazzi.
Të favorizuar nga legjislacioni dhe gjithçka ofron hapësira shqiptare, numri i të huajve që ushtrojnë aktivitetin e tyre në rajonin e Durrësit ka ardhur në rritje. Më të shumtë janë italianët, të ndjekur nga shtetasit polakë, por edhe arabë. Një pjesë e mirë e tyre janë transferuar familjarisht në Durrës.
“Vitet e fundit ka një rritje të të huajve të interesuar për të hapur biznese në Shqipëri. Shumica e tyre vijnë dhe në Dhomën e Tregtisë për t’u interesuar për legjislacionin shqiptar, kushtet për hapjen e licensës dhe disa janë hapur. Bizneset kryesisht vijnë nga Italia, po dhe nga Polonia, Republika Çeke. Vitin e fundit shumica e bizneseve të hapura konsistojnë jo më shumë në fasoneri, por në asistencë ligjore ndërmjet dy vendeve dhe në fushën e turizmit, agjenci për shoqërimin e turistëve, po janë regjistruar edhe agjenci imobiliare”, shpjegon kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Durrës, Artan Luku.
“Njoh italianë që janë transferuar dhe kanë hapur aktivitete në sektorë të ndryshëm, si ndërtim, fasoneri, pjesë këmbimi, shërbime etj. pasi kanë mundësi të mira. Janë kryesisht ndërmarrje të vogla me dhjetëra të punësuar“, tha Bonazzi.
Të huajt shprehen se janë përshtatur shumë mirë me qytetin dhe banorët e tij, që i gjejnë mikpritës, ndërsa terrenin për biznes fitimprurës.
“Erdhëm një vit më parë dhe jemi ambientuar shumë mirë. Nuk e ndjemë as problemin e gjuhës. Shqiptarët janë të zotë dhe flasin pothuajse të gjithë shumë mirë italisht. Kemi 2 fëmijë, 13 dhe 16 vjeç, që si në shkollë dhe me shokët u integruan shpejt, përtej pritshmërive tona. Durrësi është lehtësisht i menaxhueshëm dhe po shijojmë gjithçka. Çdo ditë zbulojmë një kënd të ri të Durrësit. Një surprizë e bukur“, u shpreh gruaja e Robertos.
“Një jetë shumë më e thjeshtë, por jemi pronarë të kohës sonë dhe kjo është një vlerë. Po si çdo vend në botë ka të mirat, vlerat e veta dhe gjëra për të përmirësuar, po për ne ekuilibri i gjetur është shumë i mirë”, shprehet italiani
Vetëm vitin e fundit, në Durrës kanë nisur të aktivitetin 180 sipërmarrje të huaja, ndërsa aktualisht në të gjithë rajonin tatimor të Durrësit janë 833 biznese aktive me pronësi të huaj, si dhe 220 biznese të tjera me pronësi të përbashkët mes shqiptarëve dhe shtetasve të huaj.
Top Channel