Home KRYESORE Përse Qeveria nuk foli për daljen në pension të Dr. Tritan Kalos?

Përse Qeveria nuk foli për daljen në pension të Dr. Tritan Kalos?

NGA RIGELS SELIMAN

Më 18 Korrik të këtij viti doli në pension Dr. Tritan Kalo, mjek me një kontribut në praktikën klinike prej 42 vitesh në Shëndetësinë Publike Shqiptare dhe jo vetëm. Në memorien historike të Shqipërisë do të mbetet i skalitur në kontributin e tij të dhënies së ndihmesës për mijra e mijra të sëmurë, për formimin e mjekëve të rinj në bankat e Fakultetit të Mjekësisë dhe të mjekëve specializantë në lëminë e vështirë dhe të pa limitëshme të Sëmundjeve Infektive.

Ajo çka e lartësoi edhe më shumë figurën e këtij Mantelbardhi “par exelence”, ishte periudha e vështirë e përballimit me Pandeminë e Covid-19, infeksionit të shkaktuar nga virusi jetëlëndues e jetëmarrës i Sars-Cov2. Muaj të ngarkuara me një stres të veçantë për të gjithë ne, por edhe për vetë personelin mjekësor që përballej me një sëmundje të re. Në ato kohë mjeku Tritan Kalo shpalosi edhe më shumë vlerat e tija si profesionist, si prind dhe si qytetar, i cili me profesionalizmin dhe përkujdesin e tij, u bë një mbështetje e sigurtë për këdo që dëgjoj e zbatoj këshillat e tija të urta e të efektshme.

Personalisht dhe kushdo tjetër, që i adresohej atij për ndihmë në ato çaste të vështira që po kalonim, gjeti në çdo orë të ditës apo të natës përgjigjen dhe mbështetjen e duhur. “Nënë Tereza” i Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, sikundër ai cilësohet në publikun e gjerë shqiptar u dallua mbi kolegët e tjerë për humanizmin e tij të përkorë. Do të mjaftonte vetëm ky episod i shkurtër për të merituar së paku një vlerësim publik nga Drejtuesit e Mjekësisë dhe të Qeverisë me rastin e daljes së tij në pension. Po të shfletosh me kujdes jetëshkrimin e tij mundesh të veçosh katër

1.      Dr. Tritan Kalo është i vetmi mjek shqiptar i diplomuar jashtë vendit në tre lëmi: Sëmundjet Infektive, Sëmundjet Tropikale dhe në Reanimacionin mjekësor.

2.      Ka përfunduar studimet universitare me “Medalje të Artë”, dhe kudo që ka kontribuar është dalluar në cilësinë e lartë të ofrimit të Përkujdesit Mjekësor ndaj të sëmurëve.

3.      Ka formuar direkt për 16 vite një plejadë studentësh e specializantësh në lëminë e pafundme të Sëmundjeve Infektive, përfshirë edhe shumë prej atyre që drejtojnë sot në Fakultet, në Universitet apo në Klinikat e ndryshme të QSUNT-së.

4.      Kurrë nuk ju mundësua në Shqipëri drejtimi i sektorëve ku ai ishte i mirëformuar, edhe pse një gjë e tillë ju besua në Francë.

Jeta dhe kontributi i tij përkon me mendimin dhe veprimin Kenedian, të ofrimit të gjithçkaje Mjekësisë dhe Shoqërisë Shqiptare pa parë ose kërkuar se çfarë ato i dhanë atij në këmbim. Mendimi dhe veprimi i tij i lirë, qenia e vetvetes për çdo çast ja lartësuan atij vlerat përpara bashkëqytetarëve jo vetëm në hapësirat e Shqipërisë së këndej Drinit. Mjekësia dhe Shoqëria jonë me daljen e tij në pension dhe largimin humbasin shumë. Dr. Tritan Kalo përfton së paku qetësinë shpirtërore dhe fizike të munguar nga largësia e familjes së tij.

Mungesa e vëmendjes dhe e vlerësimit të duhur nga autoritetet të një figure të tillë profesionale dhe shoqërore si Dr. Tritan Kalo duhet të na bëjë të reflektojë, dhe mbi të gjitha të kuptojmë qartazi se pse Mediokriteti në çdo fushë të jetës sonë, po ysht dita-ditës edhe më shumë largimin nga Shqipëria të të mirëedukuarve./Gazeta Sot

Share: