Home Gjeo-Ekonomia Sondazhi/ Marrëveshja Rama- Meloni për emigrantët, zgjidhje politike apo humanitare

Sondazhi/ Marrëveshja Rama- Meloni për emigrantët, zgjidhje politike apo humanitare

Pas një sërë negociatash disa javore në konfidencialet të plotë, duke i kapur të gjithë në befasi, kryeministria e Italisë Geogia Meloni dhe kryeministri Edi Rama, hodhën firmat në Romë në një protokoll bashkëpunimi për menaxhimin e emigrantëve që mbërrijnë nga Afrika në brigjet e Gadishullit Apenin.

“Kur Italia thërret, Shqipëria përgjigjet”- ishte kjo fraza e kryeministrit Edi Rama gjatë konferencës së përbashkët me homologen italiane Giorgia Meloni, argument të cilin e përdori në mbarë mediumin shqiptar dhe italian. Madje ai tha se ka pasur kërkesa edhe nga vende të tjera të BE-së, por Italisë nuk i thoshte dot “Jo”.

Por çfarë mendojnë shqiptarët për këtë narrativë të kryeministrit Rama, a është kjo marrëveshje për zgjidhje politike duke pasur parasysh mbështetjen e Italisë kundrejt Shqipërisë, apo zgjidhje humanitare.

Italia ka premtuar mbështetje 100% në rrugën e gjatë dhe të mundimshme të Shqipërisë drejt BE-së dhe në një të ardhme të afërt.

Por ky ‘favor’ i Shqipërisë do të shpërblehet me mbështetjen e Italisë në aspektin politik? Apo është zgjidhje humanitare, nisur nga historiku i Shqipërisë që ka vuajtur emigracionin përgjatë gjithë historisë së saj?

Në sondazhin e kryer nga Top Channel në faqen e Web,  75.69% e qytetarëve mendojnë se marrëveshja është zgjidhje politike, dhe vetëm 24.31% prej votuesve mendojnë se zgjidhja është humanitare.

Projektligji për ratifikimin në parlament të marrëveshjes Shqipëri-Itali për emigrantët u miratua dy ditë më parë nga qeveria, ndërsa radhën e ka Kuvendi ta votojë, mes kritikave në sferën ndërkombëtare, politike dhe opinionit publik.

Megjithatë pikëpyetje e madhe mbetet nëse marrëveshja do e kapërcejë dot Strasburgun. Ndonëse maxhoranca e Shqipërisë e ka shumicën e nevojshme për të miratuar këtë projektligj, Meloni sipas asaj që raportojnë dhe mediat italiane, rrezikon të mos i marrë të gjitha votat.

Kleida Muka/TCH

Share: