Home Gjeo-Ekonomia Von der Leyen me propozim për bisedime paqeje Izrael-Gazë! Çfarë përmban plani...

Von der Leyen me propozim për bisedime paqeje Izrael-Gazë! Çfarë përmban plani dhe 5 parimet themelore që nevojiten

Presidentja e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen, tha në një konferencë të ambasadorëve të BE-së në Bruksel (06.11.2023), se duhet ndërmarrë çfarëdolloj përpjekje e mundshme për të gjetur një zgjidhje të qendrueshme mbi bazën e dy shteteve, të cilët të ekzistojnë në paqë e siguri krah njeri-tjetrit. Për këtë nevojiten pesë parime themelore.

Si një parim të parë themelor të mundshëm ajo përmendi një dakordësim, që Rripi i Gazës të mos mund t’u ofrojë strehë terroristëve. Së dyti, sipas mendimit të presidentes së Komisionit të BE.së, mund të bihet dakord, që të ketë vetëm një autoritet palestinez dhe vetëm një shtet palestinez. Si organizatë terroriste Hamasi nuk duhet të kontrollojë apo të qeverisë Gazën.

“Së treti nuk mund të ketë prani afatgjatë sigurie izraelite në Gazë”, tha më tej von der Leyen. Brezi bregdetar është një pjesë substanciale e shtetit të ardhshëm palestinez. Së katërti nuk duhet të ketë dëbime të dhunshme të palestinezeve dhe palestinezëve nga Rripi i Gazës, sepse kjo vetëm sa mund të krijojë më shumë destabilitet në rajon.

Si parim të pestë themelor von der Leyen përmendi një dakordësim, që të mos ketë bllokadë të vazhdueshme në Gazë. 70 përqind e të rinjve në këtë rajon janë të papunë. Kjo detyrimisht nxit radikalizimin e mëtejshëm.

BE shton ndihmën humanitare për Gazën

BE-ja ka vënë në dispozicion edhe 25 milionë euro të tjera si ndihmë humanitare për civilët në Rripin e Gazës. Sipas të dhënave të presidentes së Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen, premtimet për ndihma aktualisht arrijnë një volum gjithsej rreth 100 milionë euro. Gjithashtu po punohet, që të rritet numri i autokolonave me ndihma dhe për të mundësuar transportin edhe me anije. Një korridor detar nga Qiproja mund të garantojë afatgjatë lëvrimin rregullisht të ndihmave.

“Ne të gjithë si demokraci dhe si njerëz kemi përgjegjësinë, për të bërë ç’është e mundur që të mbrojmë civilët e rrezikuar”, theksoi von der Leyen. Konkretisht ajo iu adresua edhe Izraelit, që ndërkohë si reagim ndaj ofensivës në shkallë të gjerë të Hamasit islamist-militant, ka bombarduar në masë objektiva në Rripin e Gazës. Izraeli ka të drejtë të luftojë kundër regjimit të Hamasit në Gazë. Por është gjithashtu e rëndësishme, që ai të përpiqet të shmangë viktimat civile. Sepse ka prioritet çdo jetë njerëzore, qoftë izraelite apo palestineze. /DW

Share: