“𝘽𝙚𝙧𝙞𝙨𝙝𝙖: 𝙎𝙝𝙦𝙞𝙥𝙚̈𝙧𝙞𝙖 𝙙𝙤 𝙧𝙚𝙣𝙙𝙞𝙩𝙚𝙩 𝙢𝙚 𝙫𝙚𝙣𝙙𝙚𝙩 𝙠𝙪 𝙖𝙧𝙧𝙚𝙨𝙩𝙤𝙝𝙚𝙩 𝙡𝙞𝙙𝙚𝙧𝙞 𝙞 𝙤𝙥𝙤𝙯𝙞𝙩𝙚̈𝙨! 𝙐𝙣𝙚̈ 𝙙𝙤 𝙙𝙧𝙚𝙟𝙩𝙤𝙟 𝙢𝙚 𝙫𝙚𝙣𝙙𝙤𝙨𝙢𝙚̈𝙧𝙞 𝙙𝙧𝙚𝙟𝙩 𝙛𝙞𝙩𝙤𝙧𝙚𝙨”
A duhet ta besoj se Doktori ka humbur një prej cilësive të tij më të çmuara: kujtesën? Kujtesa e zotit Sali Berisha ka një reputacion mbarëkombëtar. Njerëz pranë tij apo edhe që e kanë takuar rastësisht një a dy herë, kanë mbetur të mrekulluar nga memorja mbinjerëzore e këtij udhëheqësi.
Si, pra, ka mundësi ta ketë thënë Berisha “Shqipëria 𝙙𝙤 𝙧𝙚𝙣𝙙𝙞𝙩𝙚𝙩 𝙢𝙚 𝙫𝙚𝙣𝙙𝙚𝙩 𝙠𝙪 𝙖𝙧𝙧𝙚𝙨𝙩𝙤𝙝𝙚𝙩 𝙡𝙞𝙙𝙚𝙧𝙞 𝙞 𝙤𝙥𝙤𝙯𝙞𝙩𝙚̈𝙨” kur kjo punë është kryer tashmë 30 vjet 4 muaj 2 javë e 5 ditë më parë dhe autor është po zoti Sali ?
Ishte 31 korriku i vitit 1993. Një vit e tre muaj që kur kishte hyrë partia ( demokratike ) dhe vendin e drejtonte president Sali Berisha. Atë ditë të nxehtë vere, pasi kuvendi i hoqi imunitetin kryetarit të PS, partia kryesore e opozitës, policët i vunë prangat Fatos Nanos dhe e nisën në qeli, duke gdhendur që më ’93-shin emrin “Albania” në tabelat e atyre vendeve ku arrestohet lideri i opozitës e më pas, që burgoset padrejtësisht lideri i vërtetë i opozitës ( së vërtetë) .
Oh sa organizata ndërkombëtare, institucione e personalitete të Perëndimit shprehën shqetësim për këtë arrestim dhe dënimin. Rreth 4 vjet qëndroi në burg lideri i opozitës, për të dalë pastaj krejtësisht i pafajshëm, me vendim gjykate dhe të bëhet edhe një herë kryeministër i vendit….
Mirë mo, ta zemë se, me tërë këto punë e angazhime, makar edhe prej moshe, Doktorit edhe mund ti ketë dalë nga mendja. Po si nuk e nduku për xhakete avokati i tij? Ti kish thënë:
- Lere Doktor këtë muhabet se unë kam qenë prokurori që e çova në burg kryetarin e opozitës dhe ish kryeministrin Fatos Nano!
Se kështu ka ndodhur vërtet. Ai që sot mbron si avokat Sali Berishën është i njejti njeri që, kur Berisha qe president dhe ky prokuror, çoi në burg Fatos Nanon.
Shqetësimin tim për gjendjen e kthjelltësisë së zotit Sali ma forcon edhe një tjetër hollësi: “Lideri i opozitës”. Ligjërisht zoti Berisha është thjesht një deputet i Partisë Demokratike. Kryetar i Partisë Demokratike, ligjërisht, është një farë Lulzim Basha. Këtë e njeh ligji. Domethënë, zyrtarisht a formalisht, thuaje si të duash nuk “do të arrestohet lideri i opozitës”, por një deputet i opozitës. Nuk është hera e parë pra. Madje as nëse thua “ish kryeministër”, se si të tillë kanë bërë burg edhe Adil Çarçani me Fatos Nanon. Të thuash “ish president”, e ka zënë Ramiz Alia, që bëri edhe ai një hale burg.
“Kush jeton prej shpatës nga shpata do vdesë”
Bibla
Mateu ( 26 26:52 )
Unë, Armir Shkurti, jam gazetari i vetëm i RTSH që në 31 korrik ’93 ndoqa protestën e socialistëve, nga Stadiumi Dinamo, tek Sheshi Wilson, në bulevard, për të përfunduar “e krehur” nga policia dhe SHIK-u, vetëm një grusht njerëzish para Pallatit të Kulturës.
Unë, Armir Shkurti, jam gazetari i vetëm që ka sjellë në të vetmin ekran, RTSH, çdo seancë të atij proçesi.
Qe proçesi që vulosi një herë e mirë profesionalizmin tim. Unë vija nga vijat e para të lëvizjes antikomuniste të asaj kohe. Isha një ndër organizatorët e PD në Kombinat dhe një nga drejtuesit e fushatës së vitit ’91 në atë zonë. Gati për tu flijuar për përmbysjen e komunizmit. Kur më caktuan të ndjek gjyqin ndaj Nanos e ndava me veten se është tjetër ndjenja tjetër e vërteta. Jam vlerësuar qysh atëhere si “gazetar i ftohtë”. Në kronikat e mia mungon absolutisht qëndrimi apo mendimi im. Aty gjen vetëm atë që ndodh apo thuhet në seancë.
Por ai gjyq shënoi edhe një thyerje të pariparueshme, në lidhje me çka besoja dhe për çka luftova…
Nuk do harroj kurrë gjykatësin që pyeti ish ministrin e jashtëm, Sokrat Plaka:
- I pandehur! Përse, kur populli kishte nevojë për bukë, miell, oriz, ju pranuat konserva të peshkut ton?
- Zoti gjykatës – foli butë Plaka – Ne ua thamë italianëve këtë, por ata na u përgjigjën “kalit të falur nuk i shikohen dhëmbët”.
E megjithatë, edhe ai u dënua për korrupsion si pjesë e “grupit kriminal të Fatos Nanos”.
Kisha qenë gati të vdisja në betejën e asaj që unë besoja se qe “e mira kundër së keqes”, por që në hapat e para kish lindur e padrejtë, jo fort ndryshe nga ata që ne luftuam.
Për koinçidencë, edhe atëhere u bë një reformë në drejtësi. Ose, siç njihet më popull “gjykatësit e plepave”, se aty bënë kurse disa mujore për gjykatës e prokurorë ca që deshi partia dhe janë këta që bënë drejtësinë e re. Ç’ti bësh? Po e bëre shurrën në det, kripa ta sjell në gjellë…