Departamenti Amerikan i Shtetit u bëri thirrje të martën autoriteteve në Serbi të punojnë me Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë për t’u dhënë përgjigje shqetësimeve që vëzhguesit kishin identifikuar gjatë procesit zgjedhor të fundjavës.
“Pretendimet për parregullsi të raportuara nga OSBE-ja dhe ekipi vëzhgues duhet të hetohen dhe dhuna ndaj zyrtarëve të zgjedhjeve, gazetarëve dhe vëzhguesve të akredituar, për të cilën kemi parë njoftime, është e papranueshme dhe do të vazhdojmë t’ia bëjmë të qartë Serbisë këtë gjë,” deklaroi zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller.
Sipas tij Departamenti amerikan i Shtetit po shqyrton gjetjet paraprake të misionit vëzhgues të OSBE-së për zgjedhjet në Serbi.
“Jemi në dijeni se deklaruan që zgjedhjet e 17 dhjetorit u ofruan votuesve mundësi, alternativë politike. Por ata gjithashtu arritën në përfundimin se zgjedhjet ishin të dëmtuara nga mungesa të shumta procedurale, trysnia ndaj punonjësve publikë dhe keqpërdorimi i burimeve publike dhe se këta faktorë, krahas me përparësitë që i gëzon partia në pushtet, krijojnë kushte të padrejta,” deklaroi zëdhënësi Miller gjatë konferencës për shtyp.
Gjatë ditës, zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian thanë se procesi zgjedhor në Serbi duhet të përmirësohet ndjeshëm, pasi vëzhguesit e pavarur gjetën parregullsi shqetësuese, përfshirë blerjen e votave gjatë zgjedhjeve të parakohshme të së dielës.
Shefi i politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell dhe komisionari për zgjerim Oliver Varhelyi, thanë në një deklaratë të përbashkët se “funksionimi i duhur i institucioneve demokratike të Serbisë është në thelb të procesit të anëtarësimit të saj në bllok”.
Të hënën Misioni i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë tha se “trysnia ndaj votuesve, angazhimi vendimtar i presidentit serb Aleksandar Vuçiç, si dhe përparësitë e partisë në pushtet kanë dëmtuar procesin zgjedhor në tërësi”.
Por zyrtarët e pushtetit ngulën këmbë të martën se zgjedhjet e parakohshme të fundjavës ishin të lira dhe të ndershme me gjithë kritikat dhe tensionet politike pas votimeve.
Disa mijëra vetë protestuan të hënën me pretendimet për mashtrim në zgjedhjet për pushtetin lokal në Beograd dhe më shumë protesta janë paralajmëruar për sot.
360grade.al