E mërkura e 27 dhjetorit 2023 duket se do të futet në kalendarin politik të datave të rëndësishme, kryesisht të opozitës, por edhe më gjerë.
Kjo për shkak se brenda kësaj dite do të vendoset për të ardhmen e Partisë Demokratike dhe fatin e Sali Berishës. Për këto arsye, kjo ditë duket se është edhe më intensivja brenda familjes së ish-kryeministrit.
E nisi i biri, Shkëlzen Berisha, i cili u thirr sërish të dëshmojë në GJKKO lidhur me dosjen e “Gërdecit” që po gjykohet prej vitesh aty.
Sikurse tha edhe ai “jo rastësisht në këtë ditë, në mëngjes thirret i biri, në drekë jepet masa e arrestit për të atin”.
Dita për Sali Berishën nisi në rrugë, por nuk dihet se ku do të përfundojë.
Ish-kryeministri thirri një protestë para Gjykatës së Lartë, aty ku pritet të jepet ndoshta vendimi më i rëndësishëm për politikën që ka marrë ndonjëherë kjo gjykatë, fati i vulës dhe logos së Partisë Demokratike.
Prej këtij vendimi do të mësohet përfundimisht nëse kjo vulë do t’i takojë Sali Berishën apo Lulzim Bashës.
Por ky nuk është vendimi më i rëndësishëm që pret Sali Berisha, kjo pasi ajo ku janë fokusuar sot të gjithë është sërish GJKKO-ja, e cila do të vlerësojë kërkesën e SPAK-ut që kërkon “arrest me burg” me mbikëqyrje policore për Sali Berishën.
Për t’iu rikthyer edhe njëherë familjes Berisha, sot nuk ka mbetur pas as e bija e ish-kryeministrit, Argita. Ajo është parë sërish sot në protestë para Gjykatës së Lartë, pasi sikurse thotë, ajo është mbështetëse e Partisë Demokratike, por pa ndonjë ambicie për ta drejtuar atë.
Me Shkëlzenin dëshmitar për “Gërdecin”, ish-kryeministrin në pritje të masës së arrestit dhe të bijën në vijën e parë të protestave të “Rithemelimit”, kjo duket të jetë dita më intensive brenda familjes Berisha.
Top Channel