Home Gjeo-Ekonomia Hamasi, UNESCO-s: Shpëtoni ndërtesat historike të Gazës

Hamasi, UNESCO-s: Shpëtoni ndërtesat historike të Gazës

Hamasi i është drejtuar sot UNESCO-s me një kërkesë për të shpëtuar ndërtesat historikë në Rripin e Gazës, ndërsa mediat transmetuan pamje pas goditjes së xhamisë më të madhe në Gazë, al Omari. Vetëm minarja duket e paprekur, pjesa tjetër e këtij vendi të shenjtë të shekullit të 12-të, i cili më parë ishte një kishë, është mure guri të bardhë të plasaritur dhe të rënë.

Ministria e antikiteteve e qeverisë së Hamasit denoncoi në një deklaratë shkatërrimin e vendeve historike dhe arkeologjike nga ushtria izraelite, e cila ka bombarduar pa pushim enklavën që nga 7 tetori kur shpërtheu lufta pas masakrës së Hamasit në Izraelin jugor.

“Krimi i synimit dhe shkatërrimit të vendeve arkeologjike duhet të shtyjë botën dhe UNESCO-n të veprojnë për të ruajtur këtë trashëgimi të madhe kulturore,” tha ministria, duke shtuar se 104 xhami janë rrafshuar që nga fillimi i luftës.

Mes tyre, xhamia al-Omari si dhe xhamia Othman bin Kaskar, e vendosur gjithashtu në qytetin e Gazës, u bombarduan nga sulmet ajrore izraelite dje dhe sot, sipas qeverisë së Hamasit. Ministria shpreh keqardhjen gjithashtu për shkatërrimin e Hamam al Samara, banja e fundit turke në territorin e enklavës palestineze, ku banorët e Gazës kanë marrë ujë për më shumë se 1000 vjet. Tre kisha u shkatërruan, përsëri sipas Hamasit, duke përfshirë kishën ortodokse greke mijëravjeçare të Shën Porfirit, më e vjetra që ende funksionon në zonë, e vendosur në zemër të lagjes historike të qytetit të vjetër të Gazës. Kisha u bombardua më 18 tetor.

360grade.al

Share: