Home KRYESORE Kuvendi, histori demokracie e dhune! Ish-kryeparlamentarët komentojnë klimën politike në Parlament

Kuvendi, histori demokracie e dhune! Ish-kryeparlamentarët komentojnë klimën politike në Parlament

Në kohën kur Parlamenti është përfshirë nga e ashtuquajtura mosbindje civile, nga ana e opozitës në Tiranë është mbajtur forumi kombëtar ne temë roli i Parlamentit në proceset demokratike, një iniciativë e fondacionit “Westminster Foundation for Democracy”.

Ambasadori britanik në Tiranë, Alastair King-Smith vendosi që mesazhin e tij ta niste në gjuhën shqipe.

Do të dëshironim të shihnim një parlament konstruktiv që ushtron rolin e tij të mbikqyrjes dhe vepron në interest ë popullit shqiptar. Kjo është përgjegjësi e mazhorancës dhe opozitës”- tha King-Smith.

Ish-deputeti laburist John Grogan vlerësoi politikat në nivel lokal.“Një arritje e mrekullueshme në 30 vite demokraci në Shqipëri është demokracia lokale. Vazhdoni ta bëni. Ka disa vendime që merren më mirë në nivel lokal sesa qendror. Të jeni krenar në trashëgimin tuaj dhe përdorni çdo mënyrë për të promovuar Shqipërinë”- tha Grogan.

Duhet të shmangim sa më shumë që është e mundur interesat e partive partikulariste, strukturat e ambicieve të pakontrolluara dhe impulse jo racionale në ushtrimin e përgjegjësive parlamentare”– tha kryeparlamentarja Lindita Nikolla.

Pyetjes së Top Channel se çfarë ka ndryshuar në parlament në këto 30 vite, një parlament që pa plagosjen e deputetit Azem Hajdari nga deputeti socialist Gafur Mazreku, zotin Ilir Meta të merrte përpara vazot me lule, Monika Kryemadhin duke flakur çizmen dhe së fundi flakët dhe tymin të shkaktuar nga opozita, ish-krerët e parlamentit i dhanë këtë përgjigje:

Pyetjet e Julit ishin shumë interesante, më përshkuan si një film i shkurtër në mendje për parlamentin. Unë në jetën parlamentare kam pasur shumë kritika dhe shumë komplimente. Nga të gjithë kritikat, mbaj mend vetëm një kompliment që më ka bërë deputeti Strazimiri i Partisë Demokratike. ‘Ke 20 vjet deputet dhe nuk të kam dëgjuar kurrë të shash’”- tha Namik Dokle.

“Absolutisht janë të papranueshme. Është fatkeqësi, trishtim që po i shohim ato sot dhe vjen nevoja e domosdoshme e asaj që ju thoni; bashkëpunimi i domosdoshëm në Parlament”- tha Fatos Beja, ish nënkryetar i Kuvendit të Shqipërisë.

“Parlamenti ka bërë atë që popujt dikur që nga 1996-ta kanë përdorur si frazë; ‘akuzat inflacioniste dhe pa hesap, të pazbardhura ndaj njeri tjetrit kanë bërë që deputeti më i mirë të duket si hajdut xhepash”- tha Skënder Gjinushi, ish-kryetar i Kuvendit.

Nuk besoj se duke përjashtuar 60 deputetë për dy muaj kjo mund të ndihmoj disi për të gjetur një rrugëzgjidhje. Unë kam përjashtuar vetë deputet. Maksimumi ka shkuar në tre deputetë të përjashtuar dhe kisha një vrasje ndërgjegje”- tha ish-kryeparlamentarja Jozefina Topalli.

Top Channel

Share: