Home KRYESORE Një kartolinë e merituar për Kontrollin e Lartë të Shtetit!

Një kartolinë e merituar për Kontrollin e Lartë të Shtetit!

Nga Fejzo Subashi

Gjithë opinioni publik, jo vetëm ai politik dhe mediatik, si dhe përfaqësitë diplomatike, organizatat dhe organizmat ndërkombëtar të atashuara në Shqipëri, ndjekin me vëmendje e me pritshmëri të madhe përfundimet dhe rezultatet  e organeve të drejtësisë, si të akuzës dhe të gjyqësorit, në lidhje me fenomenet korruptive, abuzime me fondet publike dhe shkeljet e ndryshme  nga  zyrtare të lartë, apo të administratës publike, nga të gjitha nivelet dhe  pushtetet. 

Nuk kam ndërmend të merrem as më pritshmëri, as me paragjykime, e aq më pak të arrijë në konkluzione dhe përfundime se si do shkojnë këto procese. 

Natyrisht, që meriton vëmendje, por do doja ti bëja me dije mbarë këtij opinioni, jo vetëm atij mediatik, por mbare shoqërisë, faktorit ndërkombëtar, pasi ky fenomen, i cili sot po gjen dhe po merr vëmendjen e tyre dhe të institucioneve të larta të drejtësisë, është produkt i një institucioni shumë prestigjioz, kushtetues dhe një model për gjithë administratën, institucionet e tjera të vendit,të çdo niveli qofshin ato.

Është puna këmbëngulëse dhe me shumë përgjegjësi nga institucioni i KLSh-së, i cili sot është një institucion që i ka kthyer besimin dhe shpresën shqiptarëve, taksapaguesve dhe votuesve të këtij vendi. Kjo besueshmëri është edhe një garanci për organizmat dhe organizatat ndërkombëtare me të cilat bashkëpunojnë dhe e shikojnë vendin tone si partner të vazhdimësisë dhe të bashkëpunimit. Vërtet është një institucion i cili me veprimtarine e vetë fut në filtër gjithë organet dhe institucionet e shtetit dhe të pushteteve në lidhje  me financat dhe burimet e tyre financiare, por dhe me performancën e tyre. Një institucion që jep llogari në Parlament, por që sot fal punës dhe kontributit të tij,  ka fituar besueshmërinë dhe vlerësimin maksimal të ligjvënëseve dhe vet tempullit të ligjvënies. 

E megjithëse është në varësi të këtij institucioni, vështirë të gjesh nga klasa politike, qeveritarë, liderë, ish liderë, zyrtar i çdo niveli, apo nga administrata publike,  që të mos jetë me ethe, por jo për shkak të etheve të ftohtit të natyrës, por të pehlivanllëqeve, paaftësisë dhe futjes së duarve në pasurine e vendit. Falë këtij institucioni, nuk mund ti shpëtojnë dot filtrit dhe vrimës së gjilpërës së KLSH-se. Sot, KLSH është një skaner, ku maksimumi brenda viti i nenshtrohet çdo zyrtar, institucion, i çdo niveli në lidhje me objektin e veprimtarisë së KLSh-së. Është i vetmi institucion që klasa politike në gjithë spektrin e saj, të çdo krahu qofshin, sot i referohen, jo vetëm për të bërë politikë, por për të matur realisht potencialin e punës së këtij institucioni dhe të lançojnë sa të mundin rezultatet e tij. 

KLSh-ja jo vetëm që nuk paragjykohet për punën e saj, por është një medaljon për institucionet e administratën e vendit, ku referuar raportit të fundit të BE-së në lidhje me administratën, linte detyra të mëdha për të korrigjuar, rregulluar dhe përmiresuar. KLSh-ja dhe administrata e saj, është një faktor, argument bindës për këto institucione dhe organizma ndërkombëtar, se edhe në Shqipëri mund të këtë administratë dhe institucione si në BE dhe vendet e BE-së.

Me punën dhe kontributin e KLSh-së në përputhshmëri  me ligjet dhe rregullat, ka bërë që këtij filtri, në të tre komponentët, jo vetëm ky institucion të marri vlerat dhe rolin që i takon si organ kushtetues, por ti ktheje besimin, shpresën qytetarëve, pasi sado e sido do të fshihesh dhe të kamuflohesh nën petkun e suportit politik, apo të çdo statusi dhe imuniteti që mund të kesh, nuk mund të luash dhe të bësh si të duash në lidhje me administrimin, me taksat dhe resurset e vendit.

Nuk besoj se sakrifica dhe nevojat e atyre që janë pjesë e këtij institucioni është tjetër gjë nga ajo e institucioneve te tjera. Absolutisht, që edhe aty ka pasur, ka dhe do të ketë rotacione dhe largime, apo prurje te reja, por produkti final ka ndryshuar, është tjetër dimension. Natyrshëm lind pyetja: Çfarë ka ndryshuar, pasi ky institucion nuk lindi sot, por së shpejti feston njëqindvjetorin e themelimit? Natyrisht, që ka ndryshuar shumë, shumë… Falë punës dhe këmbënguljes, rritjes së përgjegjësisë dhe këndvështrimit në kryerjen e detyrës, sot nga ky institucion kemi produkte të arrira. Kemi jo vetëm raporte konkrete me konstatime të detajuara, të argumentuara, mbi një analizë të hollësishme me rekomandime për masa konkrete dhe denoncime në organet kompetente të akuzës.

Mjafton të klikosh faqen e këtij institucioni dhe do të përballesh me raporte pa fund, të cilat japin një pasqyrë jo vetëm të punës së këtij institucioni, por që tregojnë për skanerin dhe filtrin që i bën veprimtarisë së institucioneve dhe administratës shteterore.

Natyrisht për këtë rezultat dhe pune konkrete, ne duhet ti themi faleminderit këtyre njerëzve, vashkepunetoreve, mirënjohje për këtë institucion dhe vlerësim maksimal për kreun e këtij institucioni Prof. Arben Shehu, për dimensionin, risite që solli në këtë institucion, por dhe për atë nivel dhe dimension të merituar që po i jep këtij institucioni, brenda dhe jashtë vendit. 

Sot KLSH-ja, nuk është thjesht një partner me institucionet homologe, organizatat dhe organizmat që kanë të njëjtën veprimtari dhe marrëdhënie reciproke e bashkëpunimi, por një partner prestigjioz, me reputacion, besueshmëri dhe pritshmëri brilante në marrëdhëniet e partneritetit dhe bashkëpunimit. 

Vizitat e fundit të kreut të këtij institucioni dhe sidomos pritjet që i janë bërë atij dhe delegacioneve të KLSH-së në shumë vende, sidomos të BE-së, janë një argument dhe tregojnë shumë për vlerat, rolin dhe rendësine e tij.

Duhet jo vetëm kohë dhe shumë faqe për të pasqyruar me detaje punën dhe rezultatet e këtij institucioni, ku absolutisht nuk duhet ti shpëtoj syrit dhe vëmendjes së medias, jo thjeshtë për t’iu referuar për tu bërë objekt informacioni, për lajmë dhe analiza për drejtues, zyrtarë të çdo niveli e pushteti në “mediat e tyre”, por edhe si një objekt të lançimit të punës dhe ndryshmeve progresiste të KLSh-së. Do mjaftohesha me një kartolinë mirënjohje, respekti dhe urimi për këtë fund viti, si person publik dhe pjesë e armatës së madhe të pushtetit mediatik në Shqipëri.

Fejzo SUBASHi

Share: