Nga Petraq Milo
Plani i 14-të Pesëvjeçar 2021-2025 vlerësohet si një plan strategjik për gjysmën e dekadës së ardhshme dhe me objektiva afatgjata për vitin 2035. Objektivat kryesore të këtij plani deri në vitin 2025 përfshijnë : (i) prioritet do të jetë rritja ekonomike cilësore në vend të një rritje sasiore, (ii) ndërtimin e një ekonomie të pavarur për prodhimin e energjisë, teknologjisë dhe manifakturës, (iii) përshpejtimi drejt një ekonomie me karbon të ulët për arritjen e objektivave të klimës në vitet 2030 – 2060, (iv) realizimin e “prosperitetit të përbashkët” përmes rivitalizimit të zonave rurale, përshpejtimin e urbanizimit dhe zhvillimin e balancuar rajonal, (v) liberalizimin e klimës së biznesit, (vi) rritjen e rolit udhëheqës ekonomik në nivel rajonal dhe global, (vii) zbatimin e politikave buxhetore proaktive dhe politika monetare të kujdesshme.
Ndërsa objektivi afatgjatë deri në vitin 2035 do të jetë modernizimi i vendit dhe rritja e vazhdueshme e prosperitetit. Rritja ekonomike do të realizojë rikthimin e vendit në rolin e tij historik të liderit ekonomik në skenën botërore. Objektivat për vitin 2035 do të jenë : (i) përfundimi i ndërtimin të një “ekonomie të modernizuar” (ii) shndrimi i vendit në një “lider global në inovacion“, (iii) rënien e vazhdueshme të emetimeve të karbonit pasi kanë arritur një kulm në vitin 2030, (v) hapja e vendit drejt një faze të re dhe arritja e objektivit e një “Kinë të bukur”, (vi) modernizimi dhe rritja e kapacitetit të qeverisjes dhe një sistem të fortë të sundimit të ligjit, (vii) rritja e prodhimit të brendshëm bruto për frymë në nivelin e vendeve me zhvillim të moderuar.
Duke i dhënë përparësi cilësisë së rritjes për vitet e ardhshme, do të jetë e nevojshme promovimi i reformave strukturore që do të drejtojnë ekonominë në rrugën e zhvillimit më të gjelbër dhe të balancuar. Sipas parashikimit të organizatave ndërkombëtare mbas vitit 2031 Kina do të jetë udhëheqës në ekonominë globale. Sipas World Economic League Table 2022, norma mesatare e rritjes parashikohet në 5.7% në vit në periudhën 2020 – 2025, në 4.7% në vit për periudhën 2025-2030 dhe në 3.8% në vit për periudhën 2030-2035. Prodhimi i Brendshëm Bruto parashikohet të arrijë në rreth 37 608 miliard USD në vitin 2031 dhe rreth 55 068 miliard USD në vitin 2036 duke u renditur në vendin e parë në botë.
Burimi : UK-PWC: The Long View How Will the global economic order change by 2050
Ndërsa në vitin 2050[1], ekonomia e Kinës do të jetë më e madhe se ekonomitë e SHBA, Mbretërisë së Bashkuar, Japonisë, Gjermanisë të marra së bashku. PBB e Kinës parashikohet të arrijë në 58 499 miliard USD, ndërkohë që PBB e vendeve të mësipërme të marra së bashku do të jetë 52 388 miliard USD.
Një rritje të lartë do të ketë Prodhimi Brendshëm Bruto në USD për banorë, duke u vazhduar të konvergjohet me nivelin e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të Unionit Europian. Sipas vlerësimeve të FMN për periudhën 2022 – 2026, PBB-ja për banorë e Kinës do të rritet nga 27% e PBB për frymë e SHBA në vitin 2022 në rreth 32% në vitin 2026, dhe nga rreth 39% e PBB të Uninionit Europian në vitin 2022 në rreth 45% në vitin 2026. PBB për frymë e vendit do të rritet nga 20 667 USD në vitin 2022 në 27 437 USD në vitin 2026.
Kina do të synojë të bëhet një vend lider inovativ deri në vitin 2035. Qeveria është zotuar të përqëndrohet në zhvillimin e teknologjive cilësisht thelbësore, si inteligjenca artificiale e gjeneratës së ardhshme, gjysmëpërçuesit, si dhe ndërtimin e më shumë laboratorëve kombëtarë dhe qendrave të inovacionit. Një objektiv tjetër do të jetë shtrirja në 56% të vendit të rrjetit 5G. Deri në vitin 2025 ekonomia dixhitale do të përbëjë rreth 10% të vlerës së shtuar të ekonomisë. Nga viti 2021 në vitin 2025, shpenzimet për R&D do të rriten me më shumë se 7% çdo vit.
Kina po luan një rol të rëndësishëm në luftën globale kundër ndryshimeve klimatike duke u angazhuar në zhvillimin e ekonomisë së gjelbër dhe reformimin e sektorit të energjisë. Kina po përballet me sfidën e vazhdueshme të plotësimit të nevojave të mëdha për energji për ekonominë e saj në rritje ndërkohë që po drejtohet drejt dekarbonizimit. Për të gjeneruar më shumë energji të gjelbër dhe me karbon të ulët, politikat e ndërmarra kanë përcaktuar së pari politikat për kursimin dhe rritjen e efikasitetit të energjisë, dhe më tej zhvillimin e energjisë së re të pastër nga karburantet. Autoritetet vazhdojnë të rrisin shpenzimet për zbatimin e teknologjisë me karbon të ulët, për të mundësuar që emetimet të fillojnë një trajektore rënëse për të përmbushur objektivat klimatike te viteve 2030 – 2060. Objektivi i vendit do të jetë ndalimi i rritjes së mëtejshme të emetimit të karbonit në vitin 2030 dhe arritjen e neutralitetit në vitin 2060.
Foto:VCG
Në Samitin e Kombeve të Bashkuara për Biodiversitetin, Presidenti Xi “theksoi se Kina po merr masa të fuqishme për të ndihmuar në arritjen e qëllimeve globale të biodiversitetit si përshpejtimi i legjislacionit për të mbrojtur biodiversitetin, tërheqja e linjave të kuqe për mbrojtjen ekologjike, realizimi i sistemi të parkut kombëtar, realizimi i projekteve për mbrojtjen e biodiversitetit si dhe avancimi i administrimit të biodiversitetit”. Kina do të shpejtojë për të krijuar “mburoja të mëdha ekologjike” që synojnë mbrojtjen e ekosistemeve natyrore dhe krijimin e një “sistemi rezervash natyrore të bazuar në një sistem të parkut kombëtar“.
Kina po përgatitet të presë COP15, konferencën më të rëndësishme të biodiversitetit. Në këtë samit liderët botërorë do të synojnë të vendosin një kornizë të re globale për qeverisjen e biodiversitetit deri në vitin 2030 dhe të ndërmarrin një hap historikisht të rëndësishëm drejt realizimit të vizionit të vitit 2050 për “të jetuarit në harmoni me natyrën“. Qeveria kineze do të tregojë përpjekjet e vazhdueshme për të realizuar vizionin e Presidentit Xi për ndërtimin e një “qytetërimi ekologjik” dhe për ta drejtuar vendin nga një model zhvillimi me rritje të lartë drejt një modeli të zhvillimit më miqësor ndaj natyrës.
Qeveria kineze shpalli në vitin 2020 fitoren në luftën e gjatë kundër varfërisë ekstrem duke arritur 10 vjet përpara objektivin e vendosur nga Kombet e Bashkuara për t’i dhënë fund varfërisë ekstreme në të gjithë globin. Presidenti Xi ka theksuar se zhdukja e varfërisë ekstreme nuk është vija e fundit, por pika e fillimit të saj. Sfida e ardhshme do të jetë vendosja e një kufiri të ri për të zbutur varfërinë si dhe përpjekjet për të konsoliduar rezultatet e arritura.
Qeveria ka rishikuar strategjinë kombëtare të zbutjes së varfërisë. Kjo do të synojë rivitalizimin rural për të arritur “prosperitetin e përbashkët” duke parandaluar që njerëzit të kthehen në varfëri dhe për të ngushtuar pabarazinë ndërmjet zonave urbane dhe rurale. Autoritetet qendrore kohët e fundit zëvendësuan Agjencinë Kryesore Kundër Varfërisë së Kinës me Administratën Kombëtare për Rigjallërimin Rural. Rivitalizimi rural që do të fokusohet në zhvillimin e bujqësinë konsideruar faktin se aktualisht janë rreth 510 milion njerëz që jetojnë në zonat rurale. Strategjia e kombinuar e rigjallërimit rural dhe urbanizimit do të mundësojnë zgjerimin e klasës së mesme dhe rritjen potenciale të konsumit.
Foto:VCG
Nga fillimi i “reformës dhe hapjes së vendit“, kur qeveria kineze ndoqi një strategji të zhvillimit së pari të rajoneve bregdetare për të nxitur zhvillimin e rajoneve të brendshme”, provincat lindore kanë qenë gjithmonë pikat më të forta të rritjes në ekonominë kineze. Ndërsa aktualisht, Kina tani po ndjek një strategji të zhvillimit të balancuar rajonal të fokusuar në rajonet qendrore dhe perëndimore si rajone ekonomikisht më dinamike me përparësitë si në drejtim të kostos si dhe të përfitimit të eksperiencës pozitive nga zhvillimi i zonave lindore. Strategjia e urbanizimit do të ketë në qendër njerëzit për të lehtësuar më tej barrierat e migrimit midis zonave rurale dhe urbane. Qeveria synon të arrijë një normë të urbanizimit në 65% të popullsisë deri në vitin 2025 dhe 75% në një nivel me atë të një ekonomie të përparuar deri në vitin 2035.
Kina ka ndërmarrë përpjekje të konsiderueshme për të përmirësuar klimën e biznesit vendas dhe të huaj. Sipas raportit të të bërit biznes të Bankës Botërore, si rezultat i reformave strukturore vendi ka kaluar nga pozicioni i 78-të në vitin 2018, në vendin e 31-të në renditje në vitin 2020. Autoritetet kanë nënvizuar potencialin e lartë të tregut kinez për të tërhequr kompanitë e huaja. Ata janë angazhuar për liberalizimin e mëtejshëm të aksesit në treg të kompanive të huaja. Veçanërisht do të inkurajohen të investojnë në sektorin e përparuar të manifakturës, në teknologjitë e reja dhe të nivelit të lartë, në industrinë e ruajtjes së energjisë dhe mbrojtjen e mjedisit, si dhe në rajonet qendrore dhe perëndimore të vendit.
Në rishikimin e politikës tregtare të Kinës në vitin 2021, është theksuar se:“Kina mbështet reformën e nevojshme të OBT-së me qëllim të përmirësimit të rregullave të saj, forcimit të efikasitetit dhe autoritetit të sistemit tregtar shumëpalësh dhe mbrojtjes së të drejtave, interesave të vendeve anëtare në zhvillim”. Kina ka mbrojtur në mënyrë aktive tregtinë e lirë globale, ka ruajtur rregullat e tregtisë së Organizatës Botërore të Tregtisë dhe ka mbrojtur multilateralizmin kundër politikave të unilateralizmit dhe proteksionizmit. Kina është bërë një stabilizues dhe forcë lëvizëse e madhe për ekonominë botërore.
Për të rritur rolin udhëheqës në Azi dhe në nivel global, është nënvizuar se Kina do të vazhdojë të “thellojë bashkëpunimin ekonomik shumëpalësh, dypalësh dhe rajonal” gjatë pesë viteve të ardhshme. Kjo do të përfshijë mbështetjen për zbatimin e Partneritetit Ekonomik Gjithëpërfshirës Rajonal (RCEP), marrëveshjen gjithëpërfshirëse ndërmjet Kinës dhe Bashkimit Europian për Investimet (CAI), dhe negociatat për një marrëveshje të tregtisë së lirë me Japoninë dhe Korenë e Jugut. Për më tepër, Pekini përsëriti angazhimin e tij për të “konsideruar në mënyrë aktive bashkimin” me Marrëveshjen Gjithëpërfshirëse dhe Progresive për Partneritetin Trans-Paqësor (CPTPP). Qeveria kineze ratifikoi zyrtarisht RCEP-in përpara afatit dhe u kërkoi vendeve të tjera anëtare të ndiqnin shembullin e saj.
Foto:VCG
Qeveria është angazhuar për të zbatuar politika fiskale proaktive të bashkërendura me politika monetare të kujdesshme për të mbështetur stabilizimin dhe qëndrueshmërinë e rritjes ekonomike. Politikat e reja fiskale do të synojnë uljen e taksave dhe tarifave, forcimin e mbështetjes për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, sipërmarrjet individuale, dhe avancimin e investimeve në infrastrukturë. Incentiva fiskale do t’i jepen sektorit të manifakturës për të mbështetur zhvillimin me cilësi të lartë, reduktimit të taksave për shpenzimet e kërkimit dhe zhvillimit të ndërmarrjeve për të ndihmuar përparimin teknologjik. Qeveria do të vazhdojë politikën e dhënies së një zbritjeje shtesë tatimore prej 75% mbi kostot e kërkimit dhe zhvillimit të ndërmarrjeve dhe ta rrisë këtë në 100% për ndërmarrjet e manifakturës.
Politika fiskale gjithashtu do të duhet të ndihmojë në uljen e pabarazisë së lartë të të ardhurave me synimin e rritjes së shpenzimeve konsumatore. Përqëndrimi i përpjekjeve fiskale në shpenzimet sociale, investimet e gjelbra në vend, investimet tradicionale në infrastrukturë, jo vetëm që do të ndihmonte një rritje të qëndrueshme dhe rritjen e kërkesës në periudhën afat shkurtër, por gjithashtu dhe do të kontribuonte në ribalancimin e synuar afatmesëm të ekonomisë së Kinës. Politika monetare e kujdesshme do të synohet të jetë fleksibël dhe likuiditeti të mbahet në nivele të arsyeshme dhe të mjaftueshme. Një rëndësi të veçantë do të kenë përpjekjet për të drejtuar institucionet financiare në mbështetjen e tyre për ekonominë reale, veçanërisht për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, inovacionin teknologjik dhe zhvillimin e gjelbër.
Prof. Dr. Petraq Milo
[1] UK-PWC: The Long View How will the global economic order change by 2050/Artikulli dhe fotot janë ofruar nga CRI.CN